Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se është shokuese se si kjo Qeveri, ka pranuar që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të rihapë negociatat për Asociacionin në marrëveshjen e Ohrit.
Në një prononcim për Telegrafin, Haradinaj-Stublla ka thënë se rihapja e negociatave për Asociacionin, rrezikon edhe kthimin e 23 pikave që i kishte hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese.
“Ajo çfarë mund të them është se për mua personalisht ka qenë shokuese sesi kjo qeveri ka pranuar që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese (e cila hodhi poshtë substancën e një asociacioni një etnik, me tendencë për kompetenca të ndërmjetme mes pushteteve ekzistuese në Kosovë) të rihapë për negocim në marrëveshjen e Ohrit çështjen e Asociacionit duke rrezikuar rikthimin e serishëm të atyre 23 pikave që i hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese në vitin 2015. Dhe jo vetëm kaq, u zgjerua në koncepte të reja të të ashtuquajturit ‘vetëmenaxhim’ – i cili ka domethënie të ndryshme në shqip, anglisht, e serbisht dhe rrjedhimisht do të mund të “keqpërdoret” përgjatë zbatimit në të ardhmen”, është shprehur Haradinaj-Stublla.
Ish-diplomatja ka shtuar më tej se dialogu nuk do të duhej të vazhdojë, pasi që pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë, duke parë që të dyja palët edhe Kosova e edhe Serbia nuk po pajtohen ti zbusin qëndrimet e tyre maksimaliste.
Sipas saj, vazhdimi i dialogut në këtë mënyrë do t’i dhuronte Vuçiqit biletë kthyese për të poshtëruar sërish Perëndimin e për të vazhduar me akte destabilizuese në Ballkan, pa u ndëshkuar e pa llogaridhënie.
“Kosova asnjëherë nuk do të duhej të harrojë të shoh nga një prizëm më i gjerë se ku aktualisht është sot pozita e saj në raport me ndërkombëtarët. Nën këtë prizëm, shihet qartë që Kosovës i kërkohet një listë e gjatë e kërkesave e obligimeve, ndërsa Serbisë i kërkohet vetëm e vetëm të mos devijojë (së paku nominalisht) kursin evropian, pavarësisht se me veprime është thelbësisht në linjë me orientimin strategjik pro-rus e kinez.
Pra, në njërën anë Kosovës i kërkohet Asociacioni, statusi i avancuar i Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, toleranca dhe bashkëpunimi me Gjykatën Speciale, tolerancë ndaj agresionit të ashpër politik, diplomatik, e ushtarak serb, përmbajtje nga padia për gjenocid, etj., ndërsa në anën tjetër Serbia nuk i ka asnjë nga këto presione e madje as presionin për njohje të Kosovës”, u shpreh Haradinaj-Stublla.