Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njofuar se sot ka mbajtur takim me Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës, shkruan GazetaDemos.
Ai thotë se shpalosi një pjesë të programit që trajton kategoritë e pensionistëve për periudhën 2025-2029.
Tutje, ai ka thënë se në bazë të këtij programi, pensionet për kontributdhënëësit do të arrijnë në 500 euro.
Postimi i plotë i tij:
Në një bisedë të hapur përmbajtësore në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës, pata rastin të informohem në hollësi për pozitën jashtëzakonisht të rëndë të pensionistëve, të cilët janë injoruar skajshëm nga kjo qeveri dhe janë lënë me pensione që nuk garantojnë as minimumin ekzistencial të tyre.
Më këtë rast, në cilësinë e kandidatit për kryeministër nga koalicioni; AAK, Nisma, Konservatorët dhe E-30, pata kënaqësinë që ta shpalos një pjesë të programit tonë që trajton kategoritë e pensionistëve për periudhën 2025-2029.
Projeksionet tona për 2025-2029 parashikojnë një rritje prej 50% për të gjitha skemat pensionale. Jemi të vendosur që pensioni për kontributdhënësit të mos mbetet nën pagën minimale, e cila do të arrijë në 500 euro. Gjithashtu, po punojmë për të rishikuar uljen e kriterit prej 15 viteve përvojë pune, i cili aktualisht pengon shumë qytetarë të përfitojnë atë që meritojnë.
Është zotim yni edhe rritja përvitshme prej 10% e pensioneve për të gjitha kategoritë.