Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, ka komentuar takimin e fundit të liderëve të Kosovës me Presidenten Vjosa Osmani, duke e cilësuar si një “fotografi të mirë” për vendin, pavarësisht se nuk ka pasur pritje për një zgjidhje të menjëhershme.Sipas tij, ky takim i liderëve mund të ndihmojë në orientimin e pozicioneve politike të partive.
“E vërteta është që më mirë që ka ndodhë një takim i tillë, sido që të jetë. Kur ulen liderët në një tavolinë, është një fotografi e mirë dhe e duhur për Kosovën,” tha Haradinaj.Ai e përgëzoi Presidenten për vendimin e saj, por kritikoi qëndrimin e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar si zhgënjyese deklaratën e tij për “s’ka urgjencë” për konstituimin e Kuvendit.
“Zhgënjyese sjellja e liderit të partisë fituese, ku thotë se ‘s’ka urgjencë’ për konstituim të Kuvendit,” tha Haradinaj, duke shtuar se AAK-ja ka bërë kompromis për të arritur një zgjidhje.“Ne kemi bërë kompromis, iu kemi thënë gjeni një person unifikues për t’ia votuar si kryeparlamentar/e, pra ne kemi dalë edhe prej vetëvetes.”
Sipas Haradinajt, Kurti është plotësisht i vetëdijshëm se nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë ose për të udhëhequr Kuvendin.“Kurti e dinë shumë mirë që nuk i ka numrat, as për qeveri dhe as për organet udhëheqëse,” tha ai.
Haradinaj gjithashtu shprehu se një qasje më fisnike nga ana e Kurtit do të ishte që ai të propozojë një kandidat të ri për kryetar të Kuvendit dhe të arrihen organet udhëheqëse të Kuvendit sa më shpejt.“Shumë më fisnike do të ishte nëse Kurti do të dilte pas takimit me presidenten dhe të propozonte një kandidat të ri për kryetar të Kuvendit dhe ne brenda 24 orëve, madje edhe me një seancë të jashtëzakonshme, me i zgjedhë organet udhëheqëse të Kuvendit”, tha Haradinaj në Blic Interview me Astrit Gashin