Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar zhvillimet pas sulmeve kibernetike në Shqipëri së fundi. Duke komentuar publikimin e pretendimeve për atentat ndaj kryeministrit Kurti, Haradinaj nga panelistët u pyet se a ka pasur raste të njëjta sa ishte ai kryeministër i vendit.
“Unë kam qenë kryeministër, ato janë të dhëna të klasifikuara. Mendoj që është aksident kjo që ka ndodh me rrjedhjen e informatave konfidenciale në Shqipëri. Po e shohim që tash përpos luftës tradicionale, po praktikohet shumë lufta kibernetike. Duhet të kemi kujdes në këtë pikë. Unë nuk i komentoj këto lajme që po dalin pas sulmeve kibernetike në Shqipëri”, u shpreh Haradinaj në Debat Plus.
Haradinaj shtoi se kushdo që ka bërë këto sulme ka për qëllim destabilizimin e vendit.
“E dime qe Rusia dhe Irani na ka target. Ne jemi me fat që në aspektin e sigurisë kibernetike kemi bashkëpunim me Amerikën dhe aleatët e tjerë. Ata që kanë bërë këto sulme dojnë destabilizimin e vendit tonë”, përfundoi Haradinaj.