Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, në tubimin madhështor të mbajtur sot në Klinë falënderoi kandidatët për deputetë nga ky vend dhe të gjithë të pranishmit, shkruan GazetaDemos.
“Nuk guxojmë të jetojmë gjatë me eksperimente të sigurisë. Nuk është mirë të shtohen trupat e KFOR-it në Kosovë. Nuk duhet të na vritet polici në territorin tonë, të na prishet kanali; duhet të jemi më të sigurt,” tha ai.
Haradinaj para qytetarëve atje tha se duhet ecur përpara dhe nuk duhet jetuar në improvizime.
“Ne nuk duhet të jetojmë për hatër të dikujt që do me mbetë në pushtet, e i ka ikur koha e heroizmave e patriotizmave, nuk duhet me jetu në pasiguri për hatër të një njeriu, se ai do me i shëru komplekset e veta”.
“Ne jemi një popull, ne kemi të drejta, ne jemi njerëz të këtij vendi, ne duam të zhvillohemi, duam të ecim, duam të shkojmë si popujt e tjerë, si Kroacia, si Sllovenia, si Shqipëria, duam të ecim, nuk duam të jetojmë në improvizime, në këto që i ndodhin Kosovës”, u shpreh Haradinaj.