Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka folur rreth takimit të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan GazetaDemos.
Ajo ka thënë se në takim do të arrihet vetëm një armëpushim mes të dyja vendeve dhe sipas saj, dialogu do të vazhdojë edhe për një periudhë të gjatë.
“Kosova e Serbia do të vazhdojnë dialogun pafund, pa afat për përmbyllje finale, e pa garanci decidive për asnjërin shtet për anëtarësim në NATO apo BE. Pra do të jetë një armëpushim i përkohshëm, për të vazhduar rrugëtimin për stacionin e radhës, eventualisht stacionin final pas 10 vitesh, me plot koncesione ndërmjet“, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
DRAFT-MARRËVESHJET NUK JANË ‘MERRE OSE LËRE’ DERI NË MOMENTIN E FUNDIT PARA NËNSHKRIMIT!
Përgjatë vitit të fundit kur është intensifikuar procesi i dialogut dhe diplomacia e ‘ardhje-vajtjes’ (lexo: shuttle diplomacy) e emisarëve perëndimor, kemi parë disa zhvillime në bazë të të cilave do të mund të menaxhojmë pritjet tona për epilogun e mundshëm të ditës së sotme në Bruksel:
- Palët kanë prezantuar vizionet/qëllimet e tyre për draftin fillestar të Marrëveshjes Bazë me 18 gusht në Bruksel, ku kryeministri Kurti pati prezantuar 6 kapitujt e tij: njohja reciproke e anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, ballafaqimi me të kaluarën, reciprociteti i të drejtave të pakicave në Serbi e Kosovë, bashkëpunimi në 4 liritë e Procesit të Berlinit, dhe vendosja e mekanizmit implementues të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese. Në anën tjetër, Presidenti Vuçiq nuk kishte prezantuar kapituj të veçantë por vetëm insistim për Asociacionin, sepse tanimë e dimë që Serbia është e interesuar për hapa të vegjel e gradual e jo për normalizim përfundimtar. Pra e vërteta e parë është që plani franko-gjerman ËSHTË produkt i negociimit përmes “shuttle diplomacy” dhe nuk është plan që është imponuar brenda natës.
- E vërteta e dytë është që Kosova ka dështuar të fitojë argumentin diplomatik për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke (jo për herë të parë), ndërsa Serbia e ka fituar argumentin se Asociacioni është kryefjala e marrëveshjës bazë dhe njohja reciproke as që duhet të diskutohet. Dhe draftet që kemi parë janë pikërisht kjo: trysni mbi Kosovën për implementim të një Asociacioni njëetnik (përbërjen e së cilës e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese), ndërsa ‘pseudo-trysni’ mbi Serbinë për njohje kinse “defacto” të Kosovës, duke mos insistuar fare që Kosova të hiqet nga preambula e Kushtetutës së saj si “pjesë përbërëse territoriale e Serbisë.” Pra çfarëdo njohje “defacto” që Serbia pranon në këtë marrëveshje bazë, do të jetë e barazvlefshme me zero përderisa Kosova vazhdon të jetë pjesë e Kushtetutës së saj.
- E vërteta e tretë është që edhe po të nënshkruhej sot marrëveshja bazë, dialogu me Serbinë nuk do të përfundojë me kaq, e me dialog të përhershëm nënkuptohen edhe koncesionet e vazhdueshme si tash e 15 vjet pas pavarësisë. Me marrëveshjen bazë pra palët zotohen për dialog permanent, duke vazhduar me të njejtat mangësi: pa afat e pa parime, pa tema të definuara për të ardhmen, dhe pa garaci ndërkombëtare për atë se çka përfiton Kosova përpos premtimeve boshe politike (ngjashëm si me liberalizimin e vizave që po zgjatë plot 12+ vjet).
- Dhe e vërteta e fundit është fakti se kjo marrëveshje përshkohet nga parimi i asimetrisë e jo nga parimi i reciprocitetit. Marrëveshjet ekzistuese në planin franko-gjerman trajtohen me superioritet sipas prioriteteve të Serbisë, si dhe të drejtat e pakicave në dy shtetet i nënshtrohen standardeve të dyfishta: në Kosovë gjithçka, në Serbi asgjë!
Prioritetet përfundimtare të Kosovës në takimin e sotëm do të duhej të jenë (JO, NUK ËSHTË VONË DHE NUK ËSHTË MERRE OSE LËRE DERI NË MOMENTIN E FUNDIT PARA NËNSHKRIMIT!):
- Heqja e menjëhershme e Republikës së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë – ku figurojmë ende “pjesë territoriale e saj”, dhe ku thuhet se “të gjitha punët e brendshme dhe të jashtme të Kosovës i nënshtrohen Kushtetutës së Serbisë.” Vetëm përmes heqjes nga Kushtetuta e Serbisë, Kosova do të mund t’a intepretonte marrëveshjen për njohje të ekzistencës së Republikës së Kosovës nga Serbia pa njohje formale – si njohje defakto!
- Kërkesa për përgjegjësi gjenocidale të Serbisë gjatë luftës në Kosovë, dhe kërcënimi i hapur se nëse Kosova e Serbia nuk arrijnë njohjen e ndërsjellë as pas një çerek shekulli, Kosova do t’a padisë Serbinë për gjenocid në GJND për të marrë drejtësinë e munguar të cilën qartazi e ka të pamundur ta bëjë përmes dialogut.
- Hapja e arkivave të luftës dhe zbulimi i menjëhershëm i vendndodhjeve të varrezave masive nëpër Serbi, në mënyrë që të adresohet pa humbur më kohë çështja e të pagjeturve.
- Insistimi i aplikimit të reciprocitetit në të drejta vetëqeverisëse për shqiptarët në Serbi. Sa më i forcuar faktori shqiptar në Serbi, aq më të vogla do të jenë kërkesat defunksionalizuese të Serbisë në Kosovë.
- Largimi i menjëhershëm i çështjeve të brendshme të Republikës së Kosovës nga drafti i marrëveshjes bazë, si psh: çështja e formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse. Kjo është çështje e brendshme e dialogut Qeveri – konfesione fetare të Kosovës, për të cilën nuk ka marrëveshje paraprake në Bruksel, dhe rrjedhimisht nuk ka pse të futet në tekstin e draftit të marrëveshjes bazë.
- Evitimi i pakusht i një plani të ri implementimi për marrëveshjen ekzistuese të Asociacionit. Rreziku me një plan të ri implementimi për Asociacionin qëndron në faktin se përmes tij do të mund të ricikloheshin çështjet substanciale të marrëveshjes 2015 të parimeve të cilat i hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese në vitin 2015.
- Garanci transatlantike për normalizim (dhe njohje eventuale) me 5 shtetet mosnjohëse të BE-së që do të hapë rrugën për avancimin e rrugës integruese të Kosovës në NATO, e cila është prioritet mbi prioritete.
Pra në bazë të këtyre konstatimeve, unë pres se marrëveshja do të arrihet (DHE DUHET TË ARRIHET), ndoshta jo sot por gjatë kësaj jave, dhe asnjëra palë nuk do të marrë atë që ka kërkuar vazhdimisht përmes qëndrimeve maksimaliste. Pra nuk do të ketë as Asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, e as njohje defakto apo dejure.
Kosova e Serbia do të vazhdojnë dialogun pafund, pa afat për përmbyllje finale, e pa garanci decidive për asnjërin shtet për anëtarësim në NATO apo BE. Pra do të jetë një armëpushim i përkohshëm, për të vazhduar rrugëtimin për stacionin e radhës, eventualisht stacionin final pas 10 vitesh, me plot koncesione ndërmjet!