Kandidati për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj, ka dhënë mesazhin e tij katër ditë para zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e cilësuar këtë garë si vendimtare për të ardhmen e Kosovës.
Haradinaj ka falënderuar qytetarët për përkrahjen gjatë fushatës dhe ka theksuar se vizioni i tij është një Kosovë e fortë, e zhvilluar dhe e integruar në NATO, përkrah Amerikës dhe demokracive botërore.
Ai ka përmendur vizitat dhe tubimet e mbajtura në qytete të ndryshme të vendit, duke nisur nga Prekazi heroik, Prishtina dhe vendbanimet e tjera, ndërsa ka paralajmëruar edhe aktivitetet e radhës në Prizren, Suharekë, Has, Rahovec, Gjakovë dhe Pejë, ku do të mbahet tubimi përmbyllës i fushatës së tij.
“Të dielën vendosim për Kosovën ku fitojnë të gjithë. Vendosim për fatin tonë. Vendosim për fëmijët tanë. Mirupafshim më 9 shkurt te kutitë e votimit, te numri 137, për Kosovën Fituese”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Edhe katër ditë deri në fitore – Kosova Fituese 137
Të dashur qytetarë,
E nisëm bashkë duke nderuar sakrificën për liri në Prekazin heroik; vazhduam në Prishtinë dhe me tubime madhështore në mbarë vendin.
Entuziazmi dhe vendosmëria juaj, është tregues që jemi në rrugën e drejtë, rrugën që Kosovën e çon drejt përparimit e zhvillimit, direkt në NATO, përkrah Amerikës e demokracive botërore.
Ju falënderoj secilin, emër për emër, për përkrahjen e pakursyer dhe madhështore.
Gjithashtu, falënderoj mediat që na qëndruan pranë, duke raportuar aktivitetet dhe duke shpërndarë mesazhin tonë për Kosovën Fituese.
Mbrëmë takova banorët e kryeqytetit tonë, zemrës së Kosovës. E sot, kur kanë mbetur edhe 4 ditë rrugëtim, para ditës së madhe, do të jem me banorët fisnik të Kabashit në Korishë të Prizrenit; me rininë e mrekullueshme të Suharekës në Shirokë; e ditën do e përfundoj me hasjanët bujarë e atdhedashës në Lubizhdë.
Te enjten, do takohem me gastronomët tanë punëtorë, për të vazhduar me tubimin e madh në Malësinë e Vogël të Rahovecit.
Në Rahovecin e rezistencës do të qëndroj edhe të premten, në muzeun e luftës çlirimtare dhe pranë grave të çelikta të Krushës së Madhe. Ditën e premte, do ta mbylli me tubim madhështor në Gjakovën e heronjve.
Peja e Haxhi Zekës, Peja e zemrës sime, do të jetë nikoqire e tubimit përmbyllës të Kosovës Fituese. Ditën e shtunë, nga aty do të përçojmë porosinë tonë për një Kosovë të fortë e të zhvilluar, e për një të ardhme të ndritur që nis nga java tjetër.
Të dielën vendosim për Kosovën ku fitojnë të gjithë. Vendosim për fatin tonë. Vendosim për fëmijët tanë.
Mirupafshim me 9 shkurt te kutitë e votimit, te numri 137, për Kosovën Fituese.