Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza në një tubim në Drenas u shpreh se sfidat janë të mëdha, por tha se vendosmëria e tyre është më e madhe se gjithçka tjetër.
Para qytetarëve të Drenasit, Hamza u shpreh se do të forcojnë aleancën me SHBA-në dhe vendet e BE-së.
“Historia jonë është histori e përpjekjeve të vazhdueshme për një jetë më të mirë. Ndërtuam autostrada, zhvilluam ekonominë, hapën vende pune dhe tani është koha të vazhdojmë përsëri të bashkuar.
Edhe sot sfidat janë të mëdha, por vendosmëria jonë është më e madhe se gjithçka tjetër. Bashkë do të ndërtojmë të ardhmen që e meritojmë, një të ardhme të sigurtë për fëmijët tanë, mirëqenie për prindërit tanë dhe paga të dinjitetshme për qytetarët tanë”
“Do të forcojmë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Hamza.
Për qytetarët e kësaj komune, Hamza pati edhe një premtim për një projekt që ai u tha se e kanë përzemër.
“Do të kemi investime dhe do të kthejmë përkrahjen e qeverisë për komunën e Drenasit dhe një projekt të cilin ju e keni përzemër dhe ne ua garantojmë, e ai është Stadiumi Kombëtar në Drenas”, u shpreh tutje Hamza.