Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka thënë se procesi zgjedhor po shkon drejt fundit dhe ditëve të ardhshme po poresin të certifikohen edhe rezultatet.
“Procesi zgjedhor po shkon drejt fundit dhe ditëve të ardhshme presim të certifikohen edhe rezultatet zgjedhore. Deputetëve të zgjedhur të të gjitha subjekteve politike iu dëshiroj suksese në punën e tyre. Nga mandatet e fituara buron edhe detyra e shenjtë për t’iu shërbyer me ndershmëri dhe përgjegjësi atyre që besuan te secili i zgjedhur”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Tutje ai ka thënë se institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe se duhet respektuar afatet ligjore.
“Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që besuan te Partia Demokratike e Kosovës. Faleminderit për mbështetjen që na e keni dhënë për ta bërë Kosovën më të mirë! Institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe është përgjegjësi e jona t’i respektojmë afatet ligjore dhe të jemi transparentë. Së bashku duhet t’i mbrojmë vlerat që na bashkojnë, interesin publik dhe vendin tonë”, ka shkruar ai.