Dhunë, përdhunim, kërcënim, therje, tentim-vrasje, plagosje, e vrasje janë vetëm disa nga termat e rëndë që qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke i dëgjuar e duke i lexuar pothuajse çdo mëngjes e çdo mbrëmje, shkruan GazetaDemos.
Fenomeni i ngjarjeve të rënda në vendin tonë duket se çdo ditë e më shumë po shënon një rritje. Një bilanc tragjik Kosova e pati në dy ditët e fundit ku fatkeqësisht brenda këtyre dy ditëve mbetën të vrarë tre persona.
Rasti i parë brenda këtyre dy ditëve ndodhi në Mitrovicë të Veriut, ku pas një konflikti në familje një person dyshohet se vrau babain dhe vëllain e tij me thikë.
Ndërsa rasti tjetër ka të bëjë me vrasjen e rëndë në Ferizaj, ku një person i moshës 30 vjeçare i cili njëherit është edhe vëllai i reperit të njohur kosovar “Butës”, vrau një person tjetër të moshës së njëjtë, motivet e të cilës dyshohet të jenë djegia e një veture nga ana e viktimës kundrejtë reperit Buta, e cila kap vlerën e 70.000 eurove.
Ky rast tragjik mori jehonë të madhe, ngjarje kjo ku kosovarët u përfshinë edhe emocionalisht. Publikimi i dosjes së prokurorisë ku u shpalosën detaje nga motivi i kësaj vrasje si dhe “kapaku” i kësaj ngjarje të rëndë-publikimi i videos ku dorasi gjuan 7 herë mbi viktimën trazoi dhe shokoi mbrëmë qytetarët e Kosovës e sidomos përdoruesit e rrjetit social “Facebook”.
Me të publikuar momenti i vrasjes të cilën mund ta shikoni KËTU, vërshuan komentet e qytetarëve, komente këto të përpiluara nga ndjenjat e ndryshme e momentale të tyre.
GazetaDemos ka përcjellur me vëmendje mbrëmë komentuesit të cilët dhanë mendimin e tyre poshtë kësaj video, dhe nga kjo vëmendje e lëshuar mbi ta, ka vërejtur se ka hapsirë të madhe për “alarmin e kuq”.
Është shokues fakti se një numër i komentuesve e arsyetuan vrasjen pa marrë parasysh motivin e saj, e edhe më shokues se disa nga ta përveç se e arsyetuan edhe e cituan vetë vëllain e dorasit, Butën me frazat e rënda e kërcënuese që ai pëdorë pothuajse në çdo këngë të tij.
“Veç pse është i suksesshëm djali nuk i kallet kerri shtrejt. Hallall, ka marr hak për vëllain, veç TT-ja kryen punë. Nuk ka thanë kot Buta: Për një të shame, të bjen me çel të pame”, ishte ky një nga komentet që shokoi redaksinë tonë.
Gjithashtu i njejti, qëndrimin në burg e sheh edhe si akt burrëror.
Edhe një tjetër qytetar gjithashtu shokoi redaksinë tonë. Ai thotë se “mirë ia ka bo” dorasi-viktimës dhe se familja e viktimës nuk duhet të harroj se dorasit ia kanë borxh edhe 69.996,5 euro pasi që plumbi është vetëm 0,50 cent.
“Mirë ia ka bo tybe, plus mos të harron familja e 30-vjeçarit se ia kanë borxh edhe 69’996,5 euro të kerrit, se 0,50 cent plumbi, 7×0,5=3,5. RESPEKT PËR VËLLAIN E BUTËS”, ka shkruar ai.
Nga ana tjetër vërehet qartë një humbje e besimit të qytetarëve nga organet e drejtësisë. Disa nga ta besojnë se si shumë vrasës tjerë edhe Q.J nuk do e merrë dënimin e merituar. Madje disa nga ta besojnë se për të parandaluar vrasjet e tilla duhet të vihen në rend dënimet ekstreme, madje madje të rikthehet edhe Ligji i Kanunit.
“Vetëm ligji e ndal këtë dukuri, duhet ligj ekstrem për këso ngjarje. Ligji duhet me ekzistu si në USA, dënim me karrige elektrike, ngadalë me i mbytë vrasësit, atëherë mbushen mend”, u shpreh një qytetar.
“Pa u kthy Ligji i Kanunit s’ka në këtë vend kurrëgjë. 1 për 1”, u shpreh një tjetër.
“Definitivisht, për këso krime dënimet me eleminim në publik me varje do të ishte shumë e preferueshme, se këta frikacaka do të vazhdojnë të vrasin”, ishte një tjetër mendim.
Pasqyra tjetër e mendimeve të qytetarëve poshtë kësaj video-je të momentit tragjik fatmirësisht rezulton të jetë e mirë.
Një numër i lartë i qytetarëve janë solidarizuar me familjen e viktimës, ndërsa sa i përket veprimit të dorasit janë shprehur kategorikisht kundër duke thënë se i njejti nuk do të duhej të vriste njeri për shkak të një dëmi material sado i madh që të jetë ai. Sipas tyre i njejti do të duhej ta denonconte rastin e djegijes së veturës së vëllait në Polici dhe të merreshin organet e rendit me rastin në fjalë.
Gjithashtu ky grup i qytetarëve janë kursyer nga çdo mendim i tyre i cili do të kishte mundësi ta lëndonte ndonjërën nga të dy familjet e 30-vjeçarëve.
Të rënditësh për ta përkrahur një vepër e cila ndalohet dhe dënohet edhe nga ligjet e vendit është një sinjal tejet i rrezikshëm për shoqërinë tonë. Me këtë qëndrim lehtë kuptohet se po të privohej edhe ai përson me një ngjarje të ngjajshme si kjo, do të vepronte njejtë si dorasi.
Sipas një raporti të fundit në vetëm 4 muajt e parë të 2022-tës në Kosovë janë shënuar 25 vrasje.
Ndërsa fakti tjetër shqetësues është rritja e armëve ilegale në duart e qytetarëve.
Sa i përket armëve ilegale, në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës, kanë thënë se në vazhdimësi po ndërmarrin veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme.
”Policia në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme”./GazetaDemos/