Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në emisionin Euro n’7 ka pohuar se Komuna që drejton për projekte të reja ka përfituar vetëm 200 mijë euro apo 4.20 centë për kokë banori. Haliti ka deklaruar se Komuna e Novobërdës që ka shumë më pak territor ka përfituar më shumë se Vitia.
Haliti ka pohuar se buxheti për projekte të reja komunale është ndarë edhe në baza etnike edhe politike. Sipas tij janë favorizuar komunat që udhëhiqen nga LVV dhe ato nga Lista Serbe siç është Novobërda.
Ai e ka argumentuar këtë duke thënë se për Novobërdën janë ndarë 58 euro për kokë banori, ndërsa për vitiasit 4.20 cent. Ndërsa për komunat që udhëhiqen nga LVV, Haliti ka deklaruar dallimi është ekstrem i madh, pasi që për Gjilanin janë ndarë 6.3 milionë euro apo 85 euro për kokë banori dhe për Shtimen 102 euro për kokë banori.
Kjo ndarje dhe ky dallim kaq i madh në përkrahjen e projekteve të reja për komuna sipas tij nuk ka ndodh asnjëherë në të kaluarën.
“Kjo formë e ndarjes së buxhetit nuk është dashur të ndodh dhe nuk do të legalizohet, ne nuk duhet as ta lejojmë as ta pranojmë një logjik të tillë të ndarjes së buxhetit. Komunat që nuk udhëhiqen nga LVV nuk janë dëmtuar vetëm nga ndarja e buxhetit për projekte të reja por edhe nga ndarja e buxhetit siç e përcakton ligji pasi që këtë vit ne si komunë e Vitisë kemi shkurtime buxhetore edhe tek investimet kapitale, pasi që vitin e kaluar kemi pasur 4.2 milion euro investime kapitale ndërsa këtë vit na është shkurtuar buxheti për gjysmë milioni euro, pra si komunë jemi dëmtuar shumë nga ndarja e buxhetit”, ka thënë Haliti.
Komunat sipas kryetarit të Vitisë kanë edhe telashe tjera buxhetore nga barra e obligimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive, ku miliona euro komunat mund të humbin dhe se kërkesë tyre është ose të ndahet buxhet shtesë ose ato të abrogohen.
“Gjendjen e rënd financiare të komunave e ka rënduar edhe vendimi për faljen e borgjeve për tatim në pronë, pra përveç shkurtimit të buxhetit për investime kapitale, mungesës së përkrahjes për projekte të reja komunale, humbjet financiare nga obligimet që rrjedhin nga kontratat kolektive, qeveria shkon edhe një hap tutje duke marr vendim për faljen e tatimit në pronë dhe ka komuna që vitin tjetër edhe mund të bankrotojnë”, ka thënë kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.
Si kryetar komune Haliti thotë se nuk ka shpresuar shumë tek kjo qeveri se do të ketë rritje të buxhetit për investime kapitale por që poashtu nuk ka besuar se do të ketë shkurtime buxhetore e mos përkrahje për projekte të reja.