Haliti: Kërkojmë të dimë kandidatin për kryeparlamentar para se të votojmë
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se fillimisht do të shohin se kush do të jetë kandidati i LVV-së për kryeparlamentar dhe më pas do të vendosin nëse do të votojnë për apo kundër.
Sipas tij, LVV-ja nuk duhet të ndjekë praktikat e seancave të kaluara konstituive për mos transparencë.
“Do të shohim së pari se kush do të jetë kandidati për kryeparlamentar. Uroj që të mos bëhet përsëritje e gabimeve të seancës konstituive të kaluar. Në përputhje me emrin e kandidatit dhe me vendimin që do ta marrim nesër në mbledhjen e grupit parlamentar, do të veprojmë nëse do të votojmë apo jo. Unë nuk kam informacion se kush do të jetë kandidat.”, tha Haliti për rtv 21.
Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit, për nesër, 11 shkurt, në orën 12:00.
Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.


