Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkim Evropian.
Sibel Halimi, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar në lidhje me nënshkrimin për aplikimin për anëtarësimin të Kosovës në Bashkimin Evropian
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se anëtarësimi i shpejtë në BE është cak shumë ambicioz, shkruan lajmi.net.
Tutje, ajo ka shtuar se mjekët po ikin nga nënçmimi prej shtetit, qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore, e të gjithë bashkë nga çmimet e shtrenjtuara të të gjitha produkteve bazike.
Postimi i plotë:
Anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale. Megjithatë, performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme. Kjo pamje do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme.
Hyrja në BE mund të jetë larg, mirëpo 75 milionë eurot e tyre – fonde mbështetëse për energjetikë – dje janë deponuar në buxhetin e Kosovës. Qeveritarët tanë duhet të angazhohen për vënien e tyre në punë, që të mos kemi reduktime të rrymës që dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve dhe rrënojnë ekonominë tonë. Krahas kësaj, kemi hyrë në muajin e tretë pa ministër në Shëndetësi.
Mjekët po ikin nga nënçmimi prej shtetit; qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore; e të gjithë bashkë nga çmimet e shtrenjtuara të të gjitha produkteve bazike. Andaj, në vend të formaliteve pa efekt, kryeministri dhe kabineti i tij duhet të merren me gjëra të prekshme, që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve tanë.