Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar se kur ajo erdhi në krye të këtij dikasteri, rezervat shtetërore në vendin tonë ishin të pamjaftueshme, madje sipas saj, rezerva shtetërore kishte vetëm për disa ditë.
Madje ministrja Hajdari theksoi se në rast të ndonjë krize Kosova nuk ishte e pajisur me rezervën shtetërore të plotë.
“Kur ne e gjetëm rezervën shtetërore të pa elaboruar, nuk më lejohet të përmendi në sa numër ditësh, por ishte e pamjaftueshme për të kryer funksione në rast të ndonjë krize. Nuk më lejohet të përmendi numrin e ditëve por më lejohet të ju them që nuk ka mundur ta kryejë funksionin e vet për t’iu gjindur shtetit popullit dhe ekonomisë sonë në rast të çregullimit të tregut. Në vitin 2022 ne kishim krizën pikërisht në shkurt me fillimin e luftës në Ukrainë kishim krizën e mbylljes së kufijve, ndaljes së eksportit të mallrave esenciale dhe shteti i Kosovës nuk ishte i pajisur me rezervën shtetërore të plotë për të funksionuar në rast të ndonjë çregullimi”, tha Hajdari në Tëvë1.
Kurse sa i përket çështjes së përfolur në media për keqpërdorimet me rezervat shtetërore, Hajdari tha se ishte një propagandë kundër vet personalitetit të saj dhe në anën tjetër edhe kundër qeverisjes Kurti.
“Ishte një propagandë kundër personalitetit tim, kundër qeverisjes Kurti ishte poashtu një rrezik i madh duke denigruar dhe komprometuar më shumë këto informacionet që janë të ndjeshme për rezervën shtetërore, por të iu them sigurt dhe saktë që ne kemi rritur rezervën shtetërore me buxhetin e vitit 2022 në 30 fish më shumë. Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Industrisë kur e rriti buxhetin ne siguruam qytetarët tanë për 30 fish më shumë për në ditët e vështira dhe nuk ishte një kontratë, por ishin shumë kontrata për blerjen e mallrave esenciale ose bazike të nevojshme për jetën e qytetaritndër to ishin pra produktet për ushqim ku kishim operatorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Dhe 99.5 për qind është një nga kontratat që ka pasur një mungesë të sasisë, pra 0.5 për qind në një nga kontratat, por të gjitha kontratat tjera të produktit në fjalë kanë ardhur në Kosovë, pra kemi kontrata nga vendet mike”, tha ajo.
Teksa shtoi se nga të gjitha blerjet në konkluzion për vitin 2022, vetëm më pak se 3 për qind të produkteve mungojnë në rezervën shtetërore.
“Departamenti i Rezervës Shtetërore është munduar të bëjë zgjidhjen për ardhjen e mallit, e di që kanë pasur diskutimet për marrëveshjen në mënyrën miqësore, por nuk ka pasur zgjidhje ajo dhe tani duhet të veprojë Gjykata. Gjykata është ajo që do të vendosë se si do të zgjidhet kjo çështje për një kontratë në fjalë. Pastaj janë edhe kontratat e tjera të cilat janë realizuar 100 për qind, pra nga të gjitha blerjet në konkluzion për vitin 2022 janë krejtësisht më pak se 3 përqind të mungesës të blerjeve në Republikën tonë”, tha Hajdari