Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, thotë se gjatë hetimit dokumentet që janë marrë si prova në këtë dikaster janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa njësia e policisë hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete. Kështu sipas saj, kërkesa e policisë për pranim-dorëzim i këtyre provave dokumenteve ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
“Unë pres që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë e klasifikuar sipas ligjit për rezervën shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, sepse gjatë hetimit dokumentet që janë marrë si prova nga ana e Policisë në MINT janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa njësia e Policisë hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete, pra kërkesa e Policisë për pranim-dorëzim i këtyre provave dokumenteve ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, u shpreh Hajdari.
Gjatë ditës së sotme, organet e rendit në Kosovë me urdhrin e Prokurorisë Speciale kanë arrestuar drejtorin e departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Garën, drejtorin e departamentin për integrime evropiane, Irgan Lipovica, si dhe afaristin Ridvan Muharremin, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.