Gjykata Themelore në Prizren ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, që të dyshuarit Dibran Hoxhaj dhe Roland Susurit të iu vazhdohet masa e paraburgimit prej dy muaji për shkak se dyshohen për vrasjen e Visart Cengut, në lokalin “Kobra City”.
Hoxhaj dhe Susuri dyshohen për vrasjen që ndodhi para pak muajsh në lokalin ‘Kobra City’ në Prizren.
Ndryshe, në mars të këtij viti, Krimet e Rënda kishin zbarkuar në shtëpinë e Kobrës, ku ishin kryer kontrolle nën dyshimet se mund të ketë dëshmi që lidhen me vrasjen për të cilën po dyshohet ai. Po ashtu Policia kishte bastisur dhe shtëpinë e Roland Susurit, pasi dyshohej se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.
Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxhaj po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Ndërsa, i dyshuari i shtatë Roland Susuri, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit tjetër, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.
“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.