Kandidati për deputet i PDK-së, Përparim Gruda, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka vlerësuar se qytetarët në këto zgjedhje kanë kërkuar një qeveri që vendos interesin e tyre mbi gjithçka.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gruda ka shkruar Bedri Hamza është njeriu i duhur që duhet ta drejtojë qeverinë e ardhshme.
“Qytetarët e Kosovës kanë folur qartë: ata duan ndryshim dhe një qeveri që vendos interesin e popullit mbi gjithçka. Partia në pushtet ka humbur mbështetje, ndërsa PDK ka shënuar rritje të dukshme, duke dëshmuar besimin e qytetarëve për një drejtim të ri. Bedri Hamza është kryeministri i duhur për Kosovën – një udhëheqës i përgjegjshëm dhe i përkushtuar për ta çuar vendin përpara. Tani është koha të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë!”, ka shkruar Gruda.
Sipas rezultateve të fundit preliminare, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 40.83 përqind apo 339 mijë e 350 vota, PDK e dyta me 22.15 përqind apo 184 mijë e 87 vota, LDK e treta me 17.59 përqind apo 146 mijë e 241 vota dhe AAK e katërta me 7.47 përqind apo 62 mijë e 66 vota.