Përparim Gruda nga PDK ka thënë se për të dhe partinë e tij, arrestimi i kryeshefit të KEK-ut nën akuzat për korrupsion nuk ka qenë diçka e papritur.
Gruda tha se për këtë aferë bëhej fjalë edhe në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, ku u theksua korrupsioni qeveritar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Po konfirmohet ajo që kemi thënë vazhdimisht që këtu bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal”.
“Për mua dhe PDK-në kjo ka qenë e pritur. Ka një kohë që korrupsioni në qeveri është një fakt. Dhe veçanërisht ne sektorin e qeverisë ka qenë i dukshëm. Njerëzit nuk kanë mundur t’i shpjegojnë racionalisht. Për këtë ka thënë edhe Departamenti i Shtetit. Ka thënë se korrupsioni ndodhet në nivele të larta qeveritare. Po konfirmohet ajo që kemi thënë vazhdimisht që këtu bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal”, tha ai në T7.
Kryeshefi ekzekutiv, Nagip Krasniqi, u arrestua dhe i njëjti u pezullua nga bordi për dallavere në KEK. Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.