Shukrije Ramadani, gruaja e Agim Ramadanit ka reaguar për rastin e dhunimit ndaj nënës së dëshmorit në qendrën e të moshuarve në Pejë.
Ajo i ka kërkuar falje nënës dëshmorit, pasi sipas saj të gjithë jemi fajtor.
Reagimi i plotë:
Na fal nënë, që askush s’tu gjind në çastet kur kishe nevojë për mbrojtje! Ty që djalin lirisë ia fale, që gjeneratat e reja ta gëzonin këtë liri, sot surratzezat e Kosovës të përçmojnë ty dhe gjakun e tët biri, dhe të gjithë dëshmorëve të rënë! Na fal nënë, që nuk kemi aq fuqi, sa të zhbëjmë këtë turp e na duhet me lotin e bukën ta përpijmë, duke uruar ; mos paqim vajza të tilla! Na fal nënë që gjeneratat e reja nuk dinë sa e vështirë ishte lufta për liri, sa ëndrra vdiqën bashkë me djalin tënd dhe të mijëra nënave që mbetën me duart në gji duke kërkuar mbrojtje nga shteti dhe shoqëria për të cilin ra yt birë! Na fal nënë ,nëse mund të na falësh, se të gjithë jemi fajtorë, jo vetëm ato vajza që vepronin e filmonin me fjalë tallëse, se ne po i rrisim e edukojmë këto gjenerata që na bëjnë të turpërohemi para teje!