Goditet grupi kriminal shqiptar në Spanjë, këto janë mjetet që u sekuestruan
Policia shqiptare ka kontribuar në operacionin e koduar “Ferdinand”, të organizuar nga autoritetet spanjolle, ku u godit një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për grabitje me armë dhe dhunë ekstreme në banesa në Spanjë.
Si rezultat, u ndaluan 5 persona (4 shqiptarë), u sekuestruan 10 590 euro, ora luksoze dhe një automjet, ndërsa vijon puna për kapjen e 2 të shpallurve në kërkim, raporton Tch.
Njoftimi nga Policia shqiptare:
Policia shqiptare kontribuon për zhvillimin e operacionit të koduar “Ferdinand”, të organizuar nga Policia spanjolle.
Objektivi i operacionit, goditja e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar 5 pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet.
Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.
Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A. I.
Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit.