Gjykimi për vrasjen e vjehrrit, vazhdon seanca ndaj Edon Bujupit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po vazhdon gjykimin ndaj Edon Bujupit, i akuzuar për vrasjen e vjehrrit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.
Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.