Është mbyllur për sot seanca gjyqësore ndaj Sllagjan Trajkoviq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, raporton Demos.
Në këtë seancë, dëshmuan Gani Hasani, Hakif Kasumi dhe Xhevdet Halimi.
Dëshmitari Hasani tha se Sllagjani e ka rrahur djalin e tij dhe se ai ka qenë asht e lëkurë prej ”burgu”.
” Djali më ka thanë, Sllagjani më ka marrë ma ka dhanë një grusht, dhe më ka thanë hec prej këtuhit, tani djaliu u shku edhe ma se ka pa Sllagjanin. Djali u kanë asht e lëkurë prej asaj burg a çka mi thanë”, deklaroi ai.
Ndërsa në dëshminë e tij,dëshmitari tjetër Hakif Kasumi ka treguar se ai dhe familja e tij ishin mbledhur te varrezat nga policia serbe, ku më pas të ndaluarit u ndanë sipas moshës. Ai ka identifikuar një prej pjesëtarëve të forcave serbe, Sllagjan Trajkoviqin, të cilin e njihte edhe nga e kaluara.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, dëshmitari Xhevdet Halimi ka konfirmuar para trupit gjykues se kishte dhënë dëshmi lidhur me rastin më 14 shkurt 2013.
Ai ka treguar se gjatë luftës së vitit 1999 ishte dëbuar nga shtëpia dhe ishte detyruar të strehohej në fshatin Reznik, pas një ofensive të policisë serbe.
Ai po ashtu ka konfirmuar se njohu të akuzuarin, Sllagjanin, duke theksuar se e kishte vërejtur në momentin kur ky i fundit hapi një derë dhe bëri shenja me dorë, ndonëse nuk e kishte dëgjuar se çfarë kishte thënë.
“E pashë Sllagjanin me një kapuç të zi në kokë dhe u frikësova se mos më njihte. Kalova prapa tij, por nuk jam i sigurtë nëse më ka vërejtur,” tha Halimi.