Gjykata Themelore e Prishtinës, Dega në Lipjan ka marrë vendim që t’i dërgoj përsëri në paraburgim 5 zyrtarët policorë që po dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjecarit, Agon Zejnullahu.
Pas kthimit të çështjes në rivendosje nga Gjykata e Apelit lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj 5 zyrtarëve policorë të dyshuar për “vrasje nga pakujdesia të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu”, teksa po e arrestonin, Gjykata Themelore ka marrë përsëri vendim që t’i caktoj masën e paraburgimit të dyshuarve Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.
“Caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, e cila masë do t’iu llogaritet prej datës së ndalimit 07.07.2025 deri me datën 06.08.2025.” – thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Ky vendim është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Benita Berisha.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre të deklaruar në seancën dëgjimore, dhe gjitha shkresave të lëndës, konstatoi se në rastin konkret kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve e parashtruar nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtine, është e bazuar, për faktin se në rastin konkret ka arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit, për çka edhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi.” – thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Kujtojmë se me datë 21.07.2025 Gjykata e Apelit e kishte anuluar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, me të cilin i ish caktuar masa e paraburgimit 5 zyrtarëve policorë: Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të dyshuar për “vrasje nga pakujdesia të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.Apeli kishte vendosur që çështjen e paraburgimit ta kthejë në Rivendosje.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 07.07.2025, rreth orës 00:10, në rrugën “Hajredin Bajrami”, në Lipjan të pandehurit duke vepruar nga pakujdesia, në bashkëkryerje, e privojnë nga jeta tani të ndjerin Agon Zejnullahun.
Prokuroria pretendon se pasi që njoftohen se një qytetar është duke bërë veprime të pakontrolluara, e po ashtu është duke sulmuar kalimtarët e rastit, por edhe veturat në lëvizje, me të mbërritur në lokacion zyrtarët policorë e hasin tani të ndjerin.
Në Dosje thuhet se tani i ndjeri pasi që i vëren zyrtarët policorë duke vrapuar afrohet te vetura e Policisë, që ishte në lëvizje dhe në një moment ai rrëzohet përtokë, ndërsa vetura e Policisë vazhdon lëvizjen për afër 20 metra dhe parkohet.
Sipas Dosjes qytetari Agon Zejnullahu ngrihet në këmbë, duke pasur ekuilibër të çrregullt dhe vrapon në drejtim të zyrtarit policor Albian Retkocerit, i cili përdor “sprej”-in lotsjellës ndaj tani të ndjerit. Ky i fundit më pas futet në ulësen e shoferit në veturën e modelit VË Golf 7, që ishte e ndalur në vend të ngjarjes.
Tutje thuhet se në vend të ngjarjes kanë prezantuar edhe të dyshuarit, zyrtarët policorë Artidon Konxheli dhe Liridon Rrahmani, të cilët kishin qenë në detyrë zyrtare, si dhe i dyshuari, zyrtari policor Endrit Beqiri, i cili kishte qenë jashtë detyrës zyrtare dhe kalimtar rasti.
“Agon Zejnullahu, në disa momente tenton të dalë nga vetura, mirëpo e qetëson qytetari G.B. (vozitësi i veturës VË Golf 7). Në një moment i njëjti arrin ta hapë derën e veturës dhe del nga vetura, duke tentuar t’ju shmanget zyrtarëve policorë. Aty ndërhyn rreshter Ibrahim Nela, i cili e kap për krahun e majtë qytetarin dhe i njëjti rrëzohet në tokë, që dyshohet të bjerë me kokë nga ana e majtë, e më pas zyrtarët policorë intervenojnë duke tentuar ta prangosin dhe vendosen mbi trupin e qytetarit, ku rreshteri qëndron në anën e majtë të qytetarit, te këmbët e tij; me duar i mban këmbët, po ashtu në anën e majtë të qytetarit në afërsi të regjionit të shpinës ndodhet zyrtari policor Liridon Rahmani, i cili kishte veshur jelekun reflektues dhe së bashku me zyrtarin policor Albian Retkoceri, i cili ndodhej në anën e djathtë të qytetarit kishin kapur dorën e majtë të tij, duke tentuar t’i vendosin prangat; zyrtari policor Artidon Konxheli kishte vendosur gjurin e tij në regjionin e shpinës në afërsi të qafës të qytetarit, ndërsa i kishte vendosur dorën te koka e tij; zyrtari policor Endrit Beqiri iu asiston kolegëve të tij, duke e kapur dorën e djathtë të qytetarit për ta kthyer në pozicionin e prangosjes, ku për të mundësuar këtë Artidoni dhe Endriti ndërrojnë vendet. Artidoni vendoset përsëri në pozitën para trupit të qytetarit dhe vendos gjurin e majtë të tij në regjionin e shpinës në afërsi të qafës, ndërsa dorën e djathtë e vendos në regjionin e kokës, meqë rast dyshohet se nga pakujdesia e tyre qytetari Agon Zejnullahu kishte ndërruar jetë gjatë arrestimit.” – thuhet në Dosje.
Pesë zyrtarët policorë: Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri janë suspenduar dhe arrestuar.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në minutat e para, më 07.07.2025, në Lipjan. /kallxo.com