Gjykata Supreme e SHBA-së i ka hapur rrugën administratës së Presidentit Donald Trump për të rifilluar deportimet e migrantëve në vende të tjera, përveç atdheut të tyre.
Me 6 vota kundër dhe 3 vota për, gjyqtarët rrëzuan një urdhër të gjykatës më të ulët që kërkonte që qeveria t’u jepte migrantëve një “mundësi kuptimplotë” për t’u treguar zyrtarëve se me çfarë rreziqesh mund të përballen duke u deportuar në një vend të tretë, raporton BBC.
Tre gjyqtarët liberalë të gjykatës nuk u pajtuan me vendimin e shumicës, duke thënë se ai ishte “shpërblim për mungesën e ligjit”.
Çështja përfshin tetë migrantë nga Myanmari, Sudani i Jugut, Kuba, Meksika, Laosi dhe Vietnami, të cilët u deportuan në maj me një aeroplan që thuhet se po shkonte për në Sudanin e Jugut. Administrata Trump tha se ata ishin “më të këqijtë e të këqijve”.
Gjykatësi i Qarkut Amerikan me seli në Boston, Brian Murphy, vendosi që largimet kishin shkelur një urdhër që ai lëshoi në prill, sipas të cilit emigrantët duhet të kenë një shans për të argumentuar se mund të torturohen ose vriten nëse largohen në vende të treta – edhe nëse apelimet e tyre të tjera ligjore kishin dështuar tashmë.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se vendimi ishte “një fitore për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit amerikan”.
“Ndezni aeroplanët e deportimit”, tha zëdhënësja e agjencisë, Tricia McLaughlin.
Në fillim të muajit, Qeveria në detyrë e Kosovës bëri të ditur ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë, pasi mbajti një mbledhje elektronike më 11 qershor.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend – të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës – do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministra e Punëve të Brendshme.
Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur bashkëpunimin me Kosovën për pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga territori amerikan.