Lajme

Gjykata merr vendim për të dyshuarin për krime lufte në Zhegër të Gjilanit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj D.N., shtetas i Serbisë, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas Prokurorisë, D.N., në kohën e luftës ka qenë komandant i Nënstacionit Policor në Zhegër të Gjilanit. Ai dyshohet se më 30 prill 1999 nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar masakrën ku u vranë 13 anëtarë të familjeve Hyseni dhe Shabani, në shtëpinë e familjes Hyseni.

Në njoftim theksohet se edhe pse i pandehuri ishte njoftuar përmes një letre nga të mbijetuarit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes pa marrë masa për të parandaluar krimin apo për ta raportuar atë për hetim dhe ndjekje penale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. në cilësinë e Komandantit të Nënstacionit Policor në Zhegër, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenit 86 dhe 87 të protokollit shtesë I të vitit 1977, Konventës së Gjenevës e vitit 1949, duke vepruar në përgjegjësin komanduese, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim, që të parandaloj apo ndëshkoj kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serb, të kryera me datë 30.04.1999 nga i pandehuri S.A ku janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni. Edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H., i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim apo procedim penal dhe në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës së dëmshme, e këto veprime inkriminuese vërtetohen edhe me deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nga të cilat dëshmi vërtetohet edhe fakti se i pandehuri D.N. ishte komandant i nënstacionit policor në Zhegër, në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata arsyetoi se vepra penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj paraburgimi është masë e domosdoshme. Sipas saj, çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, pasi ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset, duke qenë se është shtetas i Serbisë.

D.N. u arrestua para dy ditësh në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button