Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim njëzëri në rastin KO124/25, duke deklaruar të pavlefshme vendimet e Kuvendit lidhur me refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendimet e ngjashme të seancave të tjera konstituive.
Sipas aktgjykimit, seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, pasi nuk është zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke e bërë kështu të pavlefshme konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka theksuar se brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, deputetët janë të detyruar të përfundojnë procesin e zgjedhjes së udhëheqjes së Kuvendit dhe të fillojnë funksionimin e plotë të tij.
“Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1
të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe
Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit]
të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të
Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më
vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur
Kryetarin dhe nënkryetarët e tij“, thuhet në njoftimin e tyre.
Gjykata ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv midis grupeve parlamentare për zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, duke theksuar se bllokimi i këtij procesi është në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloret e Kuvendit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Njoftimi:
Gjykata ka vendosur njëzëri:
I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme;
II. Të konstatojë që:
1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.