Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, ka pretenduar se “janë tri postulate kyçe” mbi të cilat mbështetet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Gjuriq ka deklaruar për gazetën serbe “Politika” se i pari është teksti origjinal i Marrëveshjes së Parë për Normalizim e datës 19 prill 2013, dhe i dyti është Rregullorja e Punës së Ekipit Menaxhues serb për themelimin e Asociacionit.
Si postulat i tretë kyç, ai përmend Parimet për formimin e Asociacionit, të cilat janë nënshkruar në vitin 2015.
“Fjala është për 23 parime për të cilat Prishtina është pajtuar me shkrim dhe me nënshkrimin e kryetarit të atëhershëm të “qeverisë krahinore”, Isa Mustafa, për hartimin e plotë të një spektri të gjerë të kompetencave të Asociacionit”, ka pretenduar Gjuriq.
Ai ka thënë se për këtë e “kanë garanci nga zëvëndëspresidentja e atëhershme i Komisionit Evropian”.
Gjuriq ka thënë se “kriza në dialog ka filluar” kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka anuluar 22 nga 23 parimet.