Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së aktualisht po diskutohet për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e misionit mbështetës në Kosovë (UNMIK).
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, po përfaqëson Kosovën në këtë diskutim, ndërsa Serbinë, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq.
Gjuriq, që foli para Gërvallës, ka vazhduar propagandën se në Kosovë “regjimi i Albin Kurtit” po ushtron dhunë ndaj serbëve të rëndomtë.
“Siç është theksuar në një numër raportesh nga OKB-ja në dy vitet e fundit situata në Kosovë është përkeqësuar nga masë të konsiderueshme me shkelje të të drejtave të njeriut dhe veprime të njëanshme nga regjimi i Albin Kurtit, duke krijuar një regjim të frikës. Këtu dua të jap disa detaje të disa veprimeve të tilla kundër komunitetit serb dhe që të bëj thirrje për veprim vendimtar të shpejtë dhe pyetja reale për këtë Këshill është: a do të qëndrojmë anash derisa njerëzit e rëndomtë, të pafajshëm vuajnë apo do të bëjmë, do të ndërmarrim hapa vendimtarë”, tha ai derisa përmendi ngjarjet e 2004-ës, për të cilat tha se “28 të pafajshëm ishin vrarë dhe 1000 ishin plagosur, ishte vala e dytë e spastrimit etnik e serbëve, duke e pasuar atë të vitit 1999”.
“E tashmja e padurueshme që është instaluar nga regjimi i Albin Kurtit që prej kthimit të Albin Kurtit në pushtet, administrata e tij në mënyrë sistematike e ka intensifikuar masat për izolim dhe margjinalizim të komunitetit serb. Imagjinojeni nëse valuta e juaj do të ndalohej një ditë, pensionet të hiqen, asistenca sociale të largohet. Për serbët në Kosovë kjo nuk është hipotetike, kjo është saktësisht realitet që ata ballafaqohen në Kosovë sot. Në shtator të këtij viti, Policia Speciale ka bastisur zyrat e bankave dhe postës, duke paralizuar të drejtat themelore si regjistrimi i lindjes apo qasja në ndihma sociale. Dhuna ndaj serbëve është përshkallëzuar në masë të madhe në vitin 2024, mbi 90 sulme me shënjestër specifike individët dhe pronat serbe me asnjë kryes që del para drejtësisë. Incidente të tmerrshme me fëmijë kanë tronditur komunitetet tona. Posaçërisht tash së voni një fëmijë është sulmuar nga një burrë me thikë që shënon sulmin e 16-të që prej pushtetit të Albin Kurtit. Sa sulme të tilla duhet të presim para se të ndërmarrim veprime?”, ka thënë ai.
Këtyre pretendimeve të Gjuriqit i është përgjigjur Gërvalla, e cila iou drejtua të pranishmëve që të mos besojnë “gënjeshtra të çmendura” që i tha Gjuriq.
Ajo tha se për një dekadë në Kosovë ka vepruar një pushtet i jashtëligjshëm serb.
“Shumica prej jush keni ambasada në Kosovë që ju konfirmojnë se asnjë nga këto deklarata të Gjuriq nuk janë të vërteta. Të jemi të qartë të mos e besojmë asnjë gënjeshtër të tillë të çmendur që qytetarët e Kosovës nuk paskan qasje në shëndetësi, llogari bankare apo shërbime lokale. Kemi shumë qytetarë serbë në komunat veriore të Republikës së Kosovës që na thonë me kënaqësi që përfundimisht kanë arritur të marrin frymë lirshëm, pa frikë mund të arrijë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në komunë pas aq shumë vitesh”.
“Ky pushtet serb i paligjshëm të ketë sunduar në territorin tënd e institucionet e paligjshme serbe të kenë përbërë një dekadë të plotë të shkeljes vulgare të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 e që Serbia e ka shkelë gjatë gjithë kohës”.