Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Gjini: Gjakova do të humbasë 2.4 milionë euro nga vendimi për faljen e tatimit

    27/08/2023 13:57
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Komuna e Gjakovës do të humbasë 2.4 milionë euro nga vendimi për faljen deri në 100 eurove të para të tatimit në pronë. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos për pezullimin e përkohshëm të këtij ligji, pas kërkesës së Asociacionit të Komunave të Kosovës, në Gjakovë rrezikohen edhe disa projekte që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë planifikuar të nisin. Kryetari Ardian Gjini vlerëson se edhe vendimi për rimbursimin e librave nga Ministria e Arsimit ishte i vonshëm dhe do të sjellë probleme në fillim të vitit të ri shkollor.

    I ulur në zyrën e tij në objektin e përkohshëm të Komunës së Gjakovës, kryetari Ardian Gjini, flet në një intervistë për KosovaPress në lidhje me vendimin e fundit për faljen e tatimit në pronë. Sipas tij, në këtë çështje Qeveria ka bërë “gabim pas gabimi” dhe kjo për shkak të kokëfortësisë dhe pa asnjë konsultim me Komunat e Republikës.

    Gjini thotë se janë të vetëdijshëm se duhet bërë rivlerësimi i pronave, por ka pasur mundësi që ky proces të shtyhet ndërsa me ndryshime ligjore për Financat Publike dhe ato Lokale t’u jepet hapësirë Komunave që të jenë më fleksibile në vendosjen e normave tatimore.

    Kreu i Gjakovës thotë se tashmë me rivlerësim të pronave ka dallime të konsiderueshme mes zonave. Disa prej tyre paguajnë shumë, disa zona paguajnë më pak. Ndërsa faljen e tatimit e konsideron krejtësisht gabim.

    “Në komunën e Gjakovës shembull ta marrim, prej 42 mijë pronave që paguajnë tatim të regjistruara, 32 mijë prona e kanë vlerën tatimore nën 100 euro. D.m.th paguajnë më pak se 100 euro. Diku vetëm dhjetë mijë prona paguajnë më shumë se 100 euro, sado që të jetë ajo vlerë. Çdo të thotë, në bazë të këtyre normave që kanë dalë, 32 mijë pronarë të pronave ju bie mos të paguajnë. Është gabim, është shumë gabim, për shkak se vendosja e kulturës së pagimit tatimit në pronë, fillimisht është jetike për ndërtimin e kulturës shtetërore në Kosovë. Edhe është vendosur në Gjakovë, shumica dërmuese e paguajnë vetë tatimin në pronë. Vlera e cila kish me na lujtë neve është 2.4 milionë euro”, deklaron Gjini.

    Gjini parashikon që viti 2025 do të jetë edhe më i vështirë, pasi sipas tij, do të shkohet nga “një rënie e madhe në një ngritje të madhe” për shkak të taksës progresive të vendosur e për rrjedhojë normat tatimore për shumë shfrytëzues do të rriten më shumë.

    Tjetër shqetësim për kryetarin e Gjakovës është edhe qarkorja për Komunat për vitin e ardhshëm. Sipas tij, ata janë obliguar që të mbledhin 3.3 milionë euro nga tatimi në pronë, por me ligjin tjetër për faljen e tatimit, nga kjo shumë 2.4 milionë nuk do t’i marrin dhe nuk kanë mundësi as t‘i rikuperojnë.

    Mungesa e të hyrave nga tatimi në pronë që shkojnë ekskluzivisht në investime kapitale rrezikon edhe disa projekte në Gjakovë.

    “Ministria e Financave na lëshon qarkoren neve për të hyrat vetanake për vitin 2024 edhe në atë qarkore, në ato dokumente që ne i marrim, e që janë zyrtare, që duhet t’i respektojmë, ne obligohemi t’i mbledhim diku 3.3 milionë euro prej tatimit në pronë. Na tregojnë duheni me i mbledh 3.3 milionë tatim në pronë. Tani ne e kemi kornizën buxhetore. I parashohim me i mbledh 3.3 milionë, e ato mjetet që vijnë prej tatimit në pronë edhe të tyre vetanake, të gjitha shkojnë në investime kapitale, nuk guxojnë të shkojnë diku tjetër. Në të njëjtën kohë, tani na vjen një ligj, në bazë të cilit na prej atij 3.3 milionëshi, 2.4 milionë vetëm i kemi të zhdukura. Nuk i marrim… Kjo na paraqet probleme tepër të mëdha edhe për projekte kapitale të cilat nuk do të kemi mundësi t’i vazhdojmë dhe t’i zhvillojmë vitin tjetër d.m.th është goxha problem”, vijon Gjini.

    Gjini hedh poshtë edhe pretendimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se Komunat do të gëzojnë buxhet më të lartë për vitin e ardhshëm. Sipas tij, “s’ka matematikë” që ia argumenton këto pretendime ministrit.

    Në rast se Kushtetuesja nuk vendos masë të përkohshme të pezullimit të implementimit të ligjit për faljen e 100 eurove të tatimit deri në një vendim përfundimtar, atëherë Gjini thotë se janë duke kërkuar sqarime se si të kenë një zgjidhje.

    “Jemi duke kërkuar sqarime se cilat janë mundësitë që me vendos nëse ky ligj mbetet në fuqi, nëse nuk ka ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese për ngrirje ose pezullim të implementimit, atëherë duhet me pa mundësi a kemi mundësi me i nda zonat ne, për shkak se edhe një herë po ju them, është jashtëzakonisht gabim për të ardhmen e këtij vendi dhe të vetë qytetarëve të ketë pas diskrepanca të mëdha, të kemi bashkëqytetarë tanë të cilët nuk paguajnë fare tatim, e disa tjerë paguajnë”, tha kryetari i Gjakovës.

    Një tjetër vendim i cili ka shqetësuar Gjinin është edhe ai i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e librave shkollorë. Kreu i Gjakovës u shpreh se një vendim i tillë duhej të kishte ardhur më herët dhe jo dhjetë ditë para se të fillojë mësimi.

    “Qeveria e Kosovës është vonuar jashtëzakonisht shumë. Të gjitha procedurat edhe vendimet është dashur që të merren shumë më herët… Ka me paraqitë problem sidomos për një kategori të nxënësve, familjet e të cilave nuk qëndrojnë shumë mirë financiarisht. Po ka me paraqitë problem edhe për mësuesit, të cilët do të ballafaqohen me nxënësit të cilët do të kenë tekstet shkollore, me të tjerë të cilët nuk do t’i kenë tekstet shkollore, ka me paraqit problem. Edhe për mua është e pakuptueshme pse duhet në javën e tretë të gushtit të merret ky vendim. Sikur të kish ardhur më herët, prapëseprapë edhe prindërit ishin gjet disi, po edhe rimbursimi kish mund me ndodhë ma herët, tash po ju tregoj që gjasat janë, që shtatori do të shkojë në mënyrë goxha problematike në shkollat tona, e mos harroni që me mësim mbahet tetë muaj, një muaj është shumë, është një e teta, jam absolutisht i bindur që kemi me pas probleme sivjet, për shkak se janë vonuar, janë vonuar me çfarëdo vendimi”, deklaron Gjini.

    Ai thotë se ka pasur investime në shumë shkolla të komunës dhe të gjitha pritet të jenë gati për të mirëpritur nxënësit më 1 shtator, datë kur zyrtarisht nis viti i ri shkollor 2023/24.

    Përpos shkollave, Gjini thotë se në tërë territorin e komunës janë duke u zhvilluar projekte të rëndësishme. Për shkak të buxhetit, thotë se volumi i investimeve kapitale është i lartë dhe si asnjëherë më parë në histori të qytetit.

    Në rast se ligji për faljen e tatimit nuk kalon testin e Kushtetueses, Gjini paralajmëron që vitin e ardhshëm Gjakova do të jetë në mesin 3 komunave me më së shumti investime kapitale.

    Për momentin projekti më i madh në të cilin punohet edhe me kosto më të madhe, që është investim i komunës është rruga që ne e quajmë dalja për Pejë, tash prej Gjykatës deri në fshatin Osek, janë dy segmente, dy llote. Në të dyja po punohet, edhe vlera e me gjithë shpronësime e kalon 7 milionëshin… Gjakova ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të grantit të performancës, për shkak të performancës komunale, po punohet dalja për Rekë të Keqe dhe për Qafë Morinë, për Shqipëri… Po punohet në stadium të qytetit me investim të Komunës, po punohet në dy llote, në tribunën lindje, në tribunin jug dhe në terrenin e futbollit, edhe këto punë parashihet komplet të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Kemi nënshkruar kontratën edhe për rehabilitimin e plotë të qendrës së qytetit, e cila ka mbetur kështu që 50 vite, nuk janë ndërruar gurët e trotuarit, trotuaret, asfalti, semaforët, gjelbërimi, vazot e montuara, gjithçka do të jetë ndryshe në qendër të qytetit… Pjesa e epërme e lumit Krena, segmenti më i gjatë veç po punohet është një projekt prej 1.4 milionë euro investim i Komunës”, tha Gjini.

    Komuna e Gjakovës nuk ka ndonjë projekt të ri më Qeverinë e Kosovës, por ato nga vitet e kaluara që po presin të finalizohen janë Tranisti i ri që lidh daljen për Prizren me daljen për Prishtinë, rruga Gjakovë-Dollc, dalja për Prishtinë, si dhe tribuna perëndimore e stadiumit të qytetit.

    Sa i përket të bërit biznes, Gjini është i lumtur që më shumë se gjysma e eksporteve në Kosovë prodhohen në Gjakovë. Ai tha se i kanë ofruar të gjitha kushtet bizneseve si dhe i kanë ndihmuar me organizmin duke ngritur dy struktura, e para është Këshilli Publiko Privat dhe i dyti është Klubi i Biznesit.

    Në Këshillin Publiko Privat bizneset njohin planet e njëri-tjetrit dhe të Komunës, ndërsa te Klubi i Biznesit synohet të përgatiten në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga investimet e huaja.

    “Ky Këshill (Publiko Privat) e ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm se bizneset kanë filluar të komunikojnë mes vete, t’i kuptojnë projektet e njëri-tjetrit edhe të kenë bashkëpunim i cili i ka prodhuar qindra miliona euro shkëmbim. Do të thotë mos harroni në një komunë si Gjakova. Ka ndodhë shkëmbim mes bizneseve me qindra miliona euro, i cili nuk ka ndodhë më herët. Tash në Gjakovë e kemi themeluar edhe Klubin e Biznesit, në të cilin marrin pjesë biznese të mëdha, biznese të vogla, biznese të mesme. Komuna e ka marrë përsipër për t’i kryer të gjitha punët deri te themelimi i klubit. E kemi themeluar klubin dhe ju kem dorëzuar bizneseve. Do të thotë, Komuna nuk ka kurrfarë pronësie në klub, vetëm që kemi menduar që është tepër me rëndësi t’i ndihmojmë bizneset të vijnë deri te klubi, për shkak se ka me qenë ndihmesë e jashtëzakonshme për, kemi investime të huaja tepër të mëdha”, tha Gjini.

    Projekte ka edhe në fushën e turizmit me Gjakovën, që sipas Gjinit, çdo herë e më shumë po bëhet një vend atraktiv për t’u vizituar edhe nga të huajt. Çarshia e Madhe, Shpella e Kusarit, Kanioni i Drinit të Bardhë, Ura e Terezive, Ura e Tabakut, Suka e Cërmjanit, janë vetëm disa pika interesante për t’u vizituar në këtë komunë./KP

    Artikuj të ngjashëm

    Paralajmëron Gjini: Diçka ka me eskalu, Serbia ka me bo diçka

    Avokati i Ardian Gjinit: Prania e Kusari-Lila në Gjykatë, tendencë për ndikim

    Gjini: Moslejimi i patriarkut Prorfirie të vizitojë Kosovën, mesazh i keq nga Qeveria

    Të Fundit

    Policia e Kosovës nesër vendos gurthemelin për stacionin policor në Zubin Potok

    Trumpi e pret Netanyahun të hënën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë

    Daku bëhet lojtari më i paguar i kombëtares, miliona euro siguron në Rusi

    Trump mbanë premtimin, i heq sanksionet Sirisë

    11 të vdekur nga shembja e minierës së arit në Sudan

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.