Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.
Shpesh herë ndonëse viktimat pajisen me urdhër mbrojtës, as kjo nuk i ndalon të dyshuarit që të vazhdojnë dhe të shqetësojnë ish-partneret e tyre.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur dje në Gjilan, ku një person dyshohet se ka frikësuar ish-bashkëshorten e tij.
Burimet bëjnë me dije se 33-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka raportuar se ish-bashkëshorti e ka pritur derisa ajo ka dalë nga puna dhe e ka ndjekur nga mbrapa.
Sipas saj, edhe pasi kishte hipur në një veturë taksie, 39-vjeçari ka tentuar që me pa dëshirën e saj ta nxjerrë jashtë veturës.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit ka pranuar se ka kryer veprën që dyshohet, duke deklaruar se është përpjekur që t’i rregullojë raportet me ish-gruan e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mospërfillja e gjykatës’.