Parlamenti Federal i Gjermanisë (Bundestagu) ka miratuar në lexim të dytë vendimin për vazhdimin e pjesëmarrjes së ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria Federale e Mbrojtjes, e cila thekson se prania ushtarake është ende e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.
“Bundeswehri shihet atje si garantues sigurie dhe si një plotësues i strukturave të sigurisë. Kjo është arsyeja pse Gjermania po e mbështet këtë mision brenda kornizës së NATO-s”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Sipas saj, pavarësisht përparimit në dialogun Kosovë-Serbi, tensionet mbesin të larta, sidomos në veri të Kosovës. Si shembull përmendet viti 2023 kur pati incidente të dhunshme në të cilat u plagosën ushtarë dhe civilë të KFOR-it, si dhe një sulm me eksploziv në fund të vitit 2024 ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
“Ende ekziston potencial për konflikt dhe përshkallëzim”, paralajmëron ministria.
Mandati i ri i miratuar nga Bundestagu parashikon që numri maksimal i trupave gjermane në Kosovë të mbetet i pandryshuar – deri në 400 ushtarë.
Sipas MPB-së, stabiliteti dhe paqja e qëndrueshme në Kosovë janë në interes të madh për Gjermaninë, NATO-n dhe gjithë Evropën. Misioni i KFOR-it shihet si parakusht për zhvillimin politik, social dhe ekonomik të Kosovës dhe për avancimin e dialogut me Serbinë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivës evropiane.