Qeveria Federale e Gjermanisë i ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të sqarojnë sulmet ndaj protestuesve dhe gazetarëve gjatë demonstratave kundër qeverisë në javët e fundit. Berlini thekson se, duke qenë se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka detyrimin të respektojë parimet themelore të sundimit të ligjit dhe të sigurojë lirinë e tubimit për qytetarët e saj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin deklaroi se Gjermania po ndjek me vëmendje zhvillimet në Serbi, duke theksuar se “liria e shprehjes dhe e tubimit janë shtylla të një demokracie funksionale”.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Mayer, mohoi akuzat se Gjermania po mbyll sytë ndaj mungesës së demokracisë në Serbi për shkak të interesave ekonomike. “Nuk mund të flitet për heshtje,” u shpreh ai.
Gjatë protestave kundër presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij, janë raportuar përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, por edhe me mbështetës të presidentit. Mediat e pavarura në Serbi raportojnë se eskalimi i situatës është nxitur nga provokatorë të lidhur me Partinë Progresive Serbe (SNS), në pushtet. Sipas tyre, këta individë, me ndihmën e policisë dhe shërbimeve të sigurisë, kanë shkaktuar incidente të dhunshme me qëllim diskreditimin e protestave.
Protestat nisën në nëntor të vitit të kaluar, pas një tragjedie në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona nga shembja e një mbulesë metalike. Fillimisht protestuesit kërkuan zbardhjen e përgjegjësisë për aksidentin, por me kalimin e kohës, demonstratat u kthyen në një revoltë të gjerë kundër qeverisë dhe korrupsionit të përhapur.
Protesta më e madhe deri tani u zhvillua në mars, kur mbi 300.000 qytetarë – shumica studentë dhe të rinj – dolën në rrugë. Këto ditë, protestat janë intensifikuar sërish, jo vetëm në Beograd, por edhe në qytete si Novi Sad dhe Valjevo. Janë raportuar dhjetëra arrestime dhe të plagosur, ndërsa policia akuzohet për përdorim të tepruar force dhe ndalime arbitrare.