Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Gjermania planifikon lehtësimin e migrimit, mund të përfitojnë edhe kosovarët

    29/11/2022 17:07
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Gjermania ka nevojë për qindra mijëra punëtorë të profileve të ndryshme dhe qeveria e kancelarit Olaf Scholz planifikon t’i bëjë disa reforma për ta lehtësuar marrjen e tyre. Debati politik pritet të jetë i madh, por nëse kalon tutje hapet rruga që kosovarët dhe qytetarët tjerë të Ballkanit Perëndimor të migrojnë më lehtë, sipas shkrimit të “Deutsche Welles”.

    “Ne kemi nevojë për ju”, ka thënë ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, në një video-mesazh të hënën, në gjuhën angleze, drejtuar punëtorëve të shteteve të huaja në gjithë botën

    Gjermania ka pasur mungesë të punëtorëve – në veçanti në teknologji, tregti, hotelieri, logjistikë, edukim e infermieri.

    Reformat e Qeverisë së Socialdemokratëve pritet të përfshijnë masa që modernizojnë ligjin e imigrimit në Gjermani. Ideja është të largohen pengesat burokratike në sistemin e azilit, për ta bërë më të lehtë që imigrantët të marrin leje qëndrimi të përhershme dhe t’u ofrojë shtetësi qytetarëve që kanë jetuar në Gjermani për kohë të gjatë. Ata që janë më të moshuar se 67 vjeç përjashtohen nga testimi i detyrueshëm i gjuhës.

    Opozita ka kundërshtuar planet për reforma.

    Ligji pritet t’ua mundësojë gjermanëve dyshtetësinë me shtete jashtë Bashkimit Evropian dhe t’ua mundësojë të huajve në Gjermani të aplikojnë për shtetësi pas vetëm pesë vjetësh dhe jo tetë siç është deri tash. Vetëm duhet të përmbushen kriteret e kërkuara. Masa thuhet se ka qëllim të ndihmojë në integrimin e popullatës me rrënjë turke.

    Deri në fund të vitit të shkuar, 240 mijë qytetarë jetonin në Gjermani me të ashtuquajtur “status të toleruar”. Kjo nënkuptonte që azili u është refuzuar, por edhe u është pezulluar dëbimi, për shkak të kërcënimeve në vendlindje, sëmundje të rëndë apo mungesë dokumentesh. Shumë njerëz kanë jetuar në Gjermani nën këto kushte dhe disa kanë rritur edhe fëmijët.

    Tani Qeveria planifikon t’ia mundësojë secilit që ka kaluar pesë vjet në këtë status në Gjermani deri më 1 janar 2022, “mundësi njëvjeçare të lejeqëndrimit”. Viti mund të shfrytëzohet për t’i përmbushur kriteret e nevojshme për të aplikuar për lejeqëndrim të përhershëm. Rreth 136 mijë njerëz thuhet se e përmbushin këtë kusht.

    Të gjithë azilkërkuesve pritet t’u ofrohen kurse të gjuhës dhe integrimi, transmeton KOHA.

    Për ta bërë edhe më atraktive Gjermaninë për punëtorët nga shtetet jashtë BE-së, Gjermania po planifikon t’ua bëjë më të lehtë bashkimin familjar: Të afërmit s’do të kenë nevojë për dëshmi të testit të gjuhës para hyrjes në shtet.

    Gjermania ka kalkuluar se ka nevojë për rreth 400 mijë punëtorë çdo vit. Shumica vijnë nga brenda BE-së.

    Një ligj migrimi për punëtorët është në fuqi nga viti 2020, por numri i imigrantëve nga shtetet jashtë BE-së ka qenë i kufizuar.

    “Kartela e Kaltër” për specialistët e kualifikuar qe prezantuar në Gjermani para dhjetë vjetësh. Kjo garantonte që njerëzit e kualifikuar të kenë të drejt të hyjnë në Gjermani pa kontrolle shtesë apo pa teste të gjuhës. Atyre u duhet të siguronin pagë minimum 50 mijë euro në vit, për t’u përjashtuar nga dumpingu në pagë. Qeveria dëshiron t’i ulë këto paga minimale, ashtu që të marrë më shumë mjekë, IT e inxhinierë.

    Ndërsa “kartela e mundësisë”, e bazuar në sistem pikësh, do t’ua mundësojë njerëzve të shkojnë në Gjermani për të kërkuar punë apo edhe trajnime. Kriteri për këtë është kualifikimi, mosha, gjuha dhe përvoja e punës.

    Qeveria planifikon ta zgjerojë “pakon” e “Kartelës së Kaltër” edhe te profesionet joakademike, përfshirë kuzhinierët, ekspertë të ndërtimtarisë, teknikë të energjisë dhe shoferë të kamionëve.

    Qeveria gjermane po ashtu dëshiron që më shumë njerëz të shkojnë në Gjermani për të studiuar ose për t’u trajnuar e më pas të punojnë aty. Prandaj, planifikohet eliminimi i “kontrolleve” për praktikantët, ndërsa studentëve do t’u mundësohet të punojnë krahas studimeve.

    Studentët nga shtetet jashtë BE-së me njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane mund të lejohen të kryejnë praktikë deri në 6 javë pa leje të Agjencisë së Punësimit.

    Për Ballkanin Perëndimor ligji aktualisht lejon që shtetasit e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë të punojnë në Gjermani nëse kanë marrë ofertë pune nga një punëdhënës gjerman. Para miratimit, bëhej një kontroll për të përcaktuar nëse ka në dispozicion punonjës nga Gjermania apo BE-ja. Por ky rregull më herët ishte i limituar deri në fund të vitit 2023. Në të ardhmen, do të aplikohet pakufi. Deri tash, ka pasur kufizim prej 25 mijë personash për vit kalendarik. Gjermania do të donte ta rriste ndjeshëm kuotën dhe po konsideron ta zgjerojë edhe te shtete të tjera. Asociacioni i Punëtorëve ka bërë thirrje që kuota të hiqet tërësisht.

    Edhe pranimi i diplomave të huaja ka qenë pengesë burokratike. Qeveria dëshiron ta lehtësojë procesin – duke lejuar dokumentet që të dorëzohen në gjuhën angleze apo të tjera, në vend se të kërkohet përkthim i certifikuar. Por Qeveria tash planifikon ta lejojë imigrimin për disa profesione edhe pa njohjen gjermane të kualifikimit të tyre.

    Parakusht do të ishte së paku dy vjet përvojë pune dhe një diplomë që njihet nga shteti i origjinës. Punëdhënësi më pas do të duhej të ishte përgjegjës për kontroll të shkathtësive të gjuhës. Gjithsesi, kjo nuk aplikohet te profesionet e rregulluara si ato në mjekësi e infermieri.

    Paga minimale pritet të ulet për specialistët e IT-së. Punëdhënësit do të vendosin vetë se çfarë shkathtësie gjuhe duhet.

    Artikuj të ngjashëm

    Ish-deputeti gjerman: Në Europë prej kohësh flitet për Serbinë post Vuçiq – alternativë opozita dhe studentët

    Gjermania vendos kufizime për bashkimet familjare dhe ashpërson rregullat për shtetësinë

    Merz rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën: Bashkë do prodhojmë raketa me rreze të gjatë për Kievin

    Të Fundit

    Osmani shkruan për takimin me Sir Rodney Williams: Mirënjohje për mbështetjen e Antigua dhe Barbuda ndaj shtetësisë së Kosovës

    Walker e feston ditëlindjen në Kosovë, Haradinaj nga festa e tij: Gëzuar, mik i madh i yni

    Kurti përkujton masakrën e 1 qershorit 1998 në Deçan: Kujtimi i martirëve është themel i lirisë sonë

    Arrestohen tre persona pas një përleshje në Prizren, mes tyre një zyrtar policor

    Bajrami i reagon Rizvanollit: KEK-u sot 64 euro megavat për orë, nesër 99, pas dy muajsh 260 euro

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.