Qeveria gjermane ka vënë në lëvizje planet për legalizimin e shitjes së kanabisit për qëllime rekreative.
Sipas Associated Press, ministria e Shëndetësisë së vendit, ka njoftuar të hënën se do të nisë me mbajtjen e senacave dëgjimore të ekspertëve mbi aspekte të ndryshme të kësaj çështjeje.
U bë e ditur se në këto seanca do të marrin pjesë më shumë se 200 përfaqësues nga fusha mjekësore, juridike dhe të tjera, së bashku me zyrtarë nga nivele të ndryshme të qeverisë dhe ekspertë ndërkombëtarë të paidentifikuar.
Premtimi për të legalizuar shitjet e kontrolluara të kanabisit për të rriturit në dyqanet e licencuara është një nga një seri reformash të përshkruara në marrëveshjen e koalicionit të vitit të kaluar midis tre partive social liberale që përbëjnë qeverinë e kancelarit Olaf Scholz.
Vitin e kaluar, ata thanë se plani për legalizim do të siguronte kontrollin e cilësisë duke mbrojtur gjithashtu të rinjtë dhe ranë dakord që “efektet sociale” të legjislacionit të ri do të shqyrtoheshin pas katër vjetësh.
E ndërsa, koalicioni i Scholz-it mori detyrën në dhjetor, në fillim të majit, ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha se ka planifikuar të hartojë projektligje në gjysmën e dytë të vitit pas dëgjimeve me ekspertë.
Zyrtari qeveritar kundër drogës, Burkhard Blienert tha se, pesë seancat, të cilat do të mbahen deri në fund të këtij muaji, do të trajtojnë masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen më të mirë për të rinjtë, shëndetin dhe konsumatorët.
Përveç kanabisit, ndër plane të tjera liberalizuese, qeveria ka nisur edhe një përpjekje për të hequr nga kodi penal i Gjermanisë një ndalim për mjekët që “reklamojnë” shërbimet e abortit. Në plane gjithashtu është edhe lehtësimi i rrugës drejt shtetësisë gjermane, heqja e kufizimeve për shtetësi të dyfishtë dhe ulja e moshës minimale për të votuar në zgjedhjet kombëtare nga 18 në 16 vjeç.
Qeveria gjithashtu ka njoftuar se dëshiron të heqë legjislacionin 40-vjeçar që kërkon që personat transeksualë të marrin një vlerësim psikologjik dhe një vendim gjykate përpara se të ndryshojnë zyrtarisht gjininë, një proces ky që shpesh përfshin pyetje intime. Mendohet se ky ligj, do të zëvendësohet me një “ligj të ri të vetëvendosjes”.