Ndonëse kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE), kishte hyrë fillimisht në rend dite, e njëjta ishte hequr të mërkurën.
Kjo erdhi pas kundërshtimit të ashpër nga ana e Serbisë.
E për këtë çështje gjatë ditës së sotme reagoi Bashkimi Evropian (BE), duke thënë se Serbia është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, mes tjerash, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Kështu së paku citohet nga Radio Evropa e Lirë të ketë thënë një zëdhënës i BE-së.
E reagimin e BE-së po e mbështet edhe Gjermania.
Ambasadori Jorn Rohde ka thënë se vendi i tij mbështet reagimin e BE-së “në raport me sjellën e Serbisë ndaj aspiratave të Kosovës për të ngritur statusin e saj në Këshillin e Evropës”.
“Duke e ditur se disa komentues po thonë se Gjermania do ta kishte bllokuar Kosovën vitin e kaluar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë, më lejoni ta sqaroj këtë çështje: Gjermania ka qenë një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe Kosova e di saktësisht se cilat çështje duhet t’i realizojë për të siguruar votat e nevojshme”.
“Duke ditur se nuk u siguruan vota të mjaftueshme, ishte alternativa më e mirë për të hequr votimin nga rendi i ditës për të parandaluar një humbje në votim që do të kishte qenë një fatkeqësi diplomatike”, tha Rohde.
Në platformën “BlueSky”, Rohde tha po ashtu se “Gjermania qëndron me Kosovën, mbështet aspiratat e saj për anëtarësim të plotë në KiE dhe e ndihmon në sigurimin e votave bazuar në meritat e veta”.
Ndërkaq, në platformën Instagram, Rohde tha: “Mirëpresim reagimin e qartë dhe të palëkundur të Bashkimit Evropian ndaj obligimeve të Serbisë sipas Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023. Veprimet e Serbisë përbrenda Këshillit të Evropës, duke penguar përpjekjet e Kosovës për të forcuar statusin e saj, qartësisht shkelin përkushtimet e saj. Gjermania mbetet një mbështetëse e fortë e aspiratave të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe për të siguruar votat e nevojshme bazuar në meritat e saj”.
Në vitin 2024, Kosova kishte shpresa të mëdha se anëtarësimi në KiE ishte punë e kryer. Por procesi dështoi për shkak të futjes së kushtit të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.