Gjermania e Izraeli nënshkruajnë zgjerim të kontratës për 3,1 miliardë dollarë për sistemin “Arrow”
Izraeli dhe Gjermania nënshrkuan një kontratë me vlerë të rreth 3,1 miliardë dollarëve për zgjerimin e sistemit të mbrojtjes ajrore e raketore “Arrow-3”, i cili prodhohet nga prodhuesi izraelit, “Israel Aerospace Industries”, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.
Gjermania për herë të parë e kishte blerë sistemin “Arrow” në vitin 2023, pasi raketat ruse me rreze të mesme veprimi i sheh si kërcënim kryesor ndaj popullsisë dhe infrastrukturës kritike të saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Të kombinuara, dy marrëveshjet e kanë vlerën e përgjithshme prej rreth 6,7 miliardë dollarësh, duke e përfaqësuar marrëveshjen më të madhe eksportuese të mbrojtjes në historinë e Izraelit” – tha Ministria e Mbrojtjes.
Gjermania në dhjetor u bë shteti i parë evropian që e dislokoi sistemin e mbrojtjes ajrore “Arrow”, i ndërtuar për të penguar raketa balistike me rreze të mesme si rusja “Oreshnik”, përderisa synon që t’i kundërvihet atij që e sheh si kërcënim në rritje nga Moska.
Ky system, i zhvilluar nga prodhuesi “Israel Aerospace Industries” në bashkëpunim me Agjencinë e Mbrojtjes Raketore të ShBA-së, përdoret si shtresë e sipërme e mbrojtjes raketore të Izraelit, bashkë me “Kupolën e Hekurt”, e cila i eliminon raketat me rreze të shkurtër.