Gjermania dënon ashpër mbylljen e zyrave të fondeve serbe në veri: Bie ndesh me obligimet ndaj BE-së

Gjermania ka paralajmëruar ashpër qeverinë në detyrë pas mbylljes së Fondit të Pensioneve dhe Sigurimit Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut, veprim që u tha se “bie ndesh me obligimet dhe zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian dhe vendosin nën presion marrëdhëniet tona bilaterale Gjermani-Kosovë.”
Michael Reiffenstuel, Drejtori për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në i Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane reagoi ashpër në platformën X, duke e cilësuar veprimin e autoriteteve kosovare si shqetësues dhe kërkoi përmbajtje nga veprime të tilla.
“Thirrje urgjente ndaj Kosovës që të përmbahet nga veprimet kundër institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia. Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht te vetë qytetarët e Kosovës, bien ndesh me obligimet dhe zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian dhe vendosin nën presion marrëdhëniet tona bilaterale Gjermani-Kosovë.” – thuhet në reagim.
