BallinaLajme

Gjeneral Jashari e pret Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, premtohet thellim i bashkëpunimit me FSK-në

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroglun.

Gjeneral Jashari e uroi Bayraktaroglun për emërimin e tij në këtë pozitë, teksa bëhet e ditur se të dy folën për bashkëpunimin e deritanishëm në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë.

Gjatë takimit, sipas njoftimit, të dy gjeneralët folën edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

“Gjithashtu Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi Gjeneralin Bayraktaroğlu për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë forcës sonë në ngritjen e kapaciteteve profesionale”.

“Nga ana e tij, Shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lartë zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim u tha se të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

Back to top button