Në komunën franceze të Taninges, tre fëmijë të moshës 2, 11 dhe 13 vjeç u zbuluan të vdekur në shtëpinë e tyre të martën.
Bluewin raporton se Policia tashmë është në kërkim të nënës, e cila është e zhdukur dhe vuan nga depresioni, transmeton Arbresh.info.
Babai i fëmijëve ka gjetur trupat e pajetë dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Shërbimet e urgjencës, të cilët mbërritën në vendngjarje rreth mesditës, arritën vetëm të konstatonin se fëmijët kishin vdekur. Një burim e konfirmoi këtë informacion për agjencinë e lajmeve AFP.
Gazeta “Dauphiné Libéré” raportoi se rreth 60 policë dhe një helikopter u përfshinë në kërkimin e nënës.
Taninges është një komunë me rreth 3,500 banorë. Lajmi i ngjarjes ka tronditur komunitetin e vogël dhe kërkimet për nënën vazhdojnë.