Gjashtë persona kanë kërkuar tretman mjekësor nga aksidenti i rëndë i cili ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në Veternik, mes një kamioni dhe 11 veturave.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i cili tha se gjendja e tyre është stabile.
“Gjashtë pacientë janë për momentin në emergjencë. Gjendja e tyre është stabile. Nuk kanë lëndime të rënda”, tha Syla
Në lidhje me këtë aksident zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se në këtë aksident lëndime trupore kanë marrë 11 persona dhe se kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete.
“Sot rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se në Veternik ka ndodhë një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 11 persona”, ka thënë ajo.
Sipas saj, me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.