Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla në takimin e përbashkët me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.
Gërvalla ka theksuar nevojën e reagimit dhe qëndrimit më të qartë të Bashkimit Evropian ndaj aktit të agresionit të Serbisë dhe dënimin e sulmit të 24 shtatorit kundër Kosovës.
Në këtë takim, sipas komunikatës së Ministrisë, Gërvalla theksoi nevojën për një bashkëpunim më të fortë dhe ndihmë konkrete për rajonin në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Punëve të Jashtme, Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell kryesoi një takim ministror BE-Ballkani Perëndimor, që mblodhi ministrat e jashtëm të BE-së dhe homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.
Në këtë takim të pranishëm ishin: Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz. Në takim morën pjesë së bashku me ministrat e jashtëm të BE-së për Punët e Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Fatmire Isaki dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane e Serbisë, Tanja Miščević.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës u bë e ditur se diskutimi u fokusua në sfidat e përbashkëta të sigurisë në sfondin e kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë globale dhe rajonale.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të fortë me partnerët e Ballkanit Perëndimor për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në kontinent. Në këtë kontekst, kujtoi se Bashkimi Evropian mbështet te vendet kandidate si partnerë të besueshëm në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për përafrimin me vendimet e BE-së në këto fusha.
Takimi ofroi gjithashtu një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje rreth sfidave në rajon dhe të ardhmen e tij evropiane në një kohë kur politika e zgjerimit të BE-së ka fituar një vrull të ri dhe pas miratimit të fundit të raporteve të zgjerimit të Komisionit që vlerësojnë progresin e secilit partner në rrugën e tij drejt BE-së.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti mbështetjen e fortë të vazhdueshme të BE-së – politike, teknike dhe financiare – për të gjithë kandidatët dhe kandidatët e mundshëm për t’i ndihmuar ata të çojnë përpara reformat kryesore politike, institucionale, sociale dhe ekonomike.