Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në mbledhjen e komisionit parlamentar që po mbahet sot në Kuvendin e Kosovës, është pyetur edhe për angazhimin e Gani Jakupit, konsulentit që bëri bujë në media për pagën prej 7 mijë e 500 eurove.
E pyetur nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, se a është e vërtetë se Gani Jakupi merr 7 mijë e 500 euro në muaj, Gërvalla tha se refuzon të diskutojë me PDK-në për financa.
‘’Hezitoj të flas me PDK për financa. Gani Jakupi nuk merr pagë por është në kuadër të një projekti’’, ka thënë Gërvalla.
Tutje, ministrja ka thënë se shuma prej 7 mijë e 500 eurove është minimale.
‘’Është minimale. Gani Jakupi nuk e meriton me u përball me një situatë të tillë. Ai nuk i ka borxh asgjë këtij vendi’’, ka përfunduar Gërvalla.