Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka shprehur ngushëllime ndaj familjeve të viktimave që vdiqën si pasojë e zjarrit që shpërtheu në Koçan të Maqedonisë së Veriut, në orët e hershme të mëngjesit.
Në një postim në Facebook, ai ka ftuar organet kompetente që të punojnë me përkushtim në zbardhjen e rastit.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë në Koçan, ku shpërthimi i zjarrit mori jetën e mbi 50 personave dhe la të plagosur dhjetëra të tjerë. Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të RMV, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave”.
“Ftoj autoritetet përkatëse të angazhohen me përkushtim për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ne solidarizohemi plotësisht me ata që po kalojnë këto momente të vështira. Lutjet dhe mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi”, ka thënë Gashi.