Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kanosje serioze, që eskalojnë në sulme fizike, duke ua vështirësuar punën e kërcënuar jetën. Incidente të tilla raportohen qoftë kur policët janë në uniformë apo edhe jashtë detyrës zyrtare.
Kështu ndodhi dje, në fshatin Sllatinë e Madhe në Fushë Kosovë, ku një zyrtar policor është sulmuar fizikisht nga një shofer.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se polici ka raportuar se është sulmuar nga i dyshuari pas një mosmarrëveshje në komunikacion, që eskaloi në sulm.
Sipas informacioneve të para, shoferi i dyshuar pas debatit me viktimën, kishte ndaluar veturën dhe i ka shkuar policit, duke e goditur me grusht.
Pas denoncimit të rastit, një njësi policore ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arrestuar të dyshuarin.
Si pasojë e sulmit, zyrtari policor ka pësuar lëndime dhe ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari u shoqërua në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.