Kryeministri Albin Kurti konfirmoi edhe njëherë sot se është larg arritja e një marrëveshje me SBASHK-un për ndërprerjen e grevës. Në një konferencë për media, Kurti s’ishte i kënaqur që u pyet për grevën, ndërsa tha se do të përsëris diçka që tashmë e ka thënë për këtë çështje.
Kurti tha se sot do të takohet me përfaqësues të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, ndërkohë që drejtoresha e këtij unioni pritet të vijë në Kosovë.
“Ky është samit digjital, nuk është sistem analog, dhe unë prita që do të ketë pyetje për këtë samit rajonal më të madhin që organizohet në Ballkanin Perëndimor e me të cilin duhet të jemi krenarë të gjithë, e jo vetëm Ministria e Ekonomisë. Sidoqoftë, unë sot për çështjen e grevës me sindikatat europiane e kam një takim pasdite, ku do ta diskutohjmë këtë çështje. Por e kam shpjeguar edhe më herët. për ata që nuk më kanë dëgjuar po e përsëris se kompensimi prej 50 eurove bëhet për t’u përballur me inflacionin, e jo si zëvendësim për Projekgligjin për paga, i cili natyrisht që do të sillet në fund edhe në Kuvend për të dy leximet”, tha Kurti.
Kurti e thjeshtësoi krejt “zgjidhjen” e ngërçit.
“Unë jam i bindur që zgjidhja më e mirë, më e drejtë, më e dobishme, është që edhe mësimdhënësit, edhe nxënësit të shkojnë në shkollë që të mësojnë. Dhe kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve, por edhe për zhvillimin e mbarë shoqërisë sonë”, tha ai.
Kryeministri tha se Qeveria po i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme dhe përsëriti vlerësimin si “shantazh” për kërkesat e SBASHK-ut.
“Duhet të gjejmë një zgjidhje sa më parë, mirëpo ne kemi bërë shumë hapa. Ajo çfarë nuk kemi parë është heqja dorë nga shantazhi se o kaq, o nuk shkojmë në punë”, tha Kurti.
Ai tha se punëtorët “duhet të kryejnë punën meritore për ato paga që i marrin”.
“Duhet të keni parasysh që për të mbajtur e mirëmbajtur drejtësinë në vend, të gjithë njerëzit që përfitojnë paga, duhet të kryejnë punën meritore për ato paga që i marrin”, u shpreh ai.