Në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Paris, të realizuar përgjatë datave 10-11 Shkurt 2025, si dhe me ftesë të posaçme të Zonjës së Parë të Francës, Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Samitit për Veprimin për Inteligjencën Artificiale.
Presidenca në një njoftim tha se nën organizimin e Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, Sadriu, së bashku me disa zonja të para nga vende të ndryshme të botës u mirëprit nga Rektori i Katedrales, Olivier Ribadeau Dumas dhe zonja e parë Macron.
Sadriu fillimisht ka vizituar instalacionet e artit në Katedralen Notre Dame dhe më pas edhe instalacione tjera qindra vjeçare të mbyllura për publikun, tha Presidenca.
“Në kuadër të kësaj vizite, Zotëria i Parë gjithashtu ka qenë i ftuar në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, ku krahas Presidentes Osmani, morën pjesë krerë të shteteve dhe qeverive, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat. Gjatë kësaj vizite, së bashku me Presidenten Osmani, Zotëria i Parë ka marrë pjesë edhe në Seancën Plenare të Samitit për Veprimin për Inteligjencën Artificiale, me fokus në diskutimin e zgjidhjeve të cilat vënë zhvillimet revolucionare të teknologjisë në shërbim të njerëzimit”, thuhet në njoftim.
Së fundmi, me ftesën e të Ngarkuarit me Punë të SHBA-së në Francë, së bashku me presidenten Osmani, Zotëria i Parë ka marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar për nder të delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesuar nga Zëvendës Presidenti JD Vance. E njëjta është mbajtur në Ambasadën e ShBA-ve në Francë.