Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, beson se më e vështirë është të garosh në Serie A, sesa në Ligë të Kampionëve.
Portugezi e dha këtë deklaratë, pasi skuadra e tij po vuan në elitën e futbollit italian, teksa natën që lamë pas e mposhti në Santiago Bernabeu kampionin në fuqi të Ligës së Kampionëve, Real Madridin.
Duke folur për Sky Sports Italia, ai tha: “Mendoj se fituam sepse lojtarët patën guximin të vinin këtu dhe të luanin lojën e tyre, pa pasur frikë nga asgjë. Ne donim ta mbanim topin, bëmë gjëra të shkëlqyera në pjesën e parë dhe më pas u munduam pak më shumë pas pushimit, por ia dolëm së bashku dhe e merituam plotësisht këtë fitore. Jo vetëm sepse shënuam tre gola, por edhe luajtëm me shumë cilësi”.
Ish-trajneri i Lilles shtoi tutje: “Nuk jam dakord kur njerëzit thonë se futbolli italian është defanziv. Mund të jemi një ekip me më shumë iniciativë dhe dominim të ndeshjes në Evropë, këto janë karakteristikat e skuadrës. Ne dëshmuam se skuadrat italiane nuk mbrojnë vetëm, ne luajtëm me topin dhe kishim pozicionim të shkëlqyer Më e vështirë është të luash në Itali ndaj Monzës e Cagliarit. Këto janë më të vështira se ndaj Real Madridit.