Në kryeqendrën e Kosovës, Kinemaja e Hapur “Film n’Park” pritet të hapet për fëmijët mbi moshën 10 vjeç.
Ka aktivitet do të mbahet te parku afër objektit të Postës së Kosovës në Dardani, nga 26 gushti deri me 1 shtator.
Aty do të shfaqen filma kosovarë dhe botërorë, ka njoftuar Drejtoresha për Kulturë në Kryeqytet, Sibel Halimi, thuhet në kumtesë.
“Drejtoria e Kulturës dhe Qendra Kulturore për Fëmijë në Komunën e Prishtinës iu ftojnë në një përvojë unike verore me filma të përzgjedhur nga Prifest, Anibar dhe Qendra Kinematografike e Kosovës”, ka thënë Halimi.
Hapja e edicionit të parë “Film n’Park” do të bëhet më 26 gusht nga ora 19:00 për të vazhduar më pas me filmat nga ora 20:00.
“Kjo ngjarje organizohet nga Drejtoria e Kulturës me përkrahjen e UNDP Kosova. Mos e humbisni këtë mundësi për të kaluar mbrëmje të paharrueshme në shoqërinë e filmit dhe natyrës!”, ka thënë drejtoresha Halimi.