FIFA ka paralajmëruar Llapin se do t’ia ndalojë blerjen dhe regjistrimin e futbollistëve të rinj, nëse nuk i shlyen detyrimet ndaj ish-trajnerit të ekipit të vet U19, Alan Clark, në një afat të shkurtër kohor.
Fillimisht trajneri jug-afrikan Clark, ishte emëruar si ndihmës trajner te skuadra e Llapit, ndërsa më vonë kishte marrë drejtimin e grupmoshave U-19.
Clark kishte dorëzuar ankesë në FIFA për shlyerjen e borxhit dhe kishte fituar rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në muajin janar, por Llapi nuk kishte bërë shlyerjen e borxhit.
Së fundmi Clark ka dorëzuar ankesë në FIFA. Nëse Llapi nuk i lanë detyrimet ndaj Clarkut brenda një afati shumë të shkurtër, atëherë FIFA do t’ia ndalojë regjistrimin e lojtarëve derisa borxhi të paguhet plotësisht, raporton Nacionale, transmeton Paparaci.
Llapi i ka mijëra euro borxh Clarkut, por shuma e saktë dhe hollësitë e këtij rasti nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.
Borxhet e klubeve ndaj trajnerëve dhe futbollistëve në futbollin kosovar janë një çështje serioz dhe rasti i Clark është dëshmi se përfaqësimi nga njohësit e fushës apo avokatëve është shumë i rëndësishëm që futbollistët apo trajnerët t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe të kompensohen për atë që iu takon por iu mohohet nga klubet.