Pas rasteve të fundit shqetësuese të rrezikimit të shëndetit të futbollistëve gjatë ndeshjeve kampionale, Federata e Futbollit e Kosovës ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të përmirësuar standardet e sigurisë dhe kujdesit mjekësor në futbollin vendor.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, zhvilloi një takim urgjent pune me Këshillin Mjekësor të federatës, ku kërkoi qartë dhe me vendosmëri që të hartohen propozime konkrete, të mbështetura në praktikat më të mira ndërkombëtare, për forcimin e masave preventive dhe emergjente në terrenet sportive.
“Gjendja aktuale kërkon veprim të menjëhershëm. Shëndeti i sportistëve është prioriteti ynë absolut dhe nuk do të lejojmë asnjë neglizhencë në këtë drejtim,” theksoi Ademi gjatë takimit.
Në takim u vendos që të fillojnë pa asnjë vonesë të gjitha përgatitjet teknike, logjistike dhe profesionale për zbatimin e këtyre masave në të gjitha nivelet e garave të organizuara nga FFK.